Hetimet në lidhje me rastin e abuzimit seksual të një 15-vjeçare në Tarazh të Mirditës, ku janë vënë nën akuzë 5 persona nuk janë bërë siç duhet.
Në këtë konkluzion ka dalë Gjykata e Lezhës, e cila pas disa seancave paraprake gjyqësore e riktheu çështjen, duke urdhëruar prokurorin Ylli Pjeternikaj që të plotësojë hetimet.
Vendimi është marrë nga gjyqtari Artan Hajredinaj, pasi u njoh me dosjen dhe dëgjoi palët e përfshira në këtë proces.
Sipas burimeve, dosja ka patur mangësi, duke ngritur dyshime të arsyeshme se nuk është arritur të provohen plotësisht akuzat për 5 personat e arrestuar në lidhje me këtë çështje.
Pala mbrojtëse e 5 pandehurve kanë pretenduar për mangësi të theksuara në marrjen e deklarimeve të viktimës në këtë proçes, konkretisht 15-vjeçares së mitur dhe për kontraditat e këtyre deklarimeve në raport me komunikimet e dokumentuara që e mitura ka patur me të gjithë të pandehurit.
Në vendimin e arsyetuar gjykata pritet ti kërkojë organit të akuzës kryerjen e një sërë veprimesh të tjera hetimore, të cilat duhet të përfundojnë brenda datës 28 shkurt, kur dhe është caktuar seanca e radhës gjyqësore.
Hetimet në lidhje me përdhunimin e 15-vjeçares nga Tarazhi i Mirditës u mbyllen në muajin shtator dhe Prokuroria e Lezhës e dërgoi çështjen për gjykim në gjykaten e këtij rrethi.
Ndaj Artan Kaçorrit, Albert Mollës, Ermal Tarazhit, Nikë Lleshit dhe 17-vjeçarit me iniciale A.GJ, të cilët vijojnë të jenë me masën e sigurisë “Arrest në burg” është ngritur akuza “Marrëdhënie seksuale me të ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç” e kryer në bashkëpunim.
Referuar dosjes hetimore, personi i parë që ka abuzuar me të miturën është 32-vjeçari Artan Kaçorri. Ky i fundit kishte patur lidhje me vajzën dhe në muajin mars madje i kishte blerë dhe një telefon për të komunikuar me të.
Kaçorri, i cili është i martuar, kishte arritur që të mashtronte të miturën e ta merrte në makinë e më pas ka abuzuar seksualisht me të, duke i bërë dhe video e foto intime, të cilat më pas ua ka shpërndarë dhe 4 personave të tjerë, mes të cilëve dhe nipit të tij 17-vjeçarit me iniciale A.GJ.
Përmes videove dhe fotove 5 personat kanë arritur ta shantazhojnë të miturën dhe ta detyrojnë që të kryejë marrëdhënie seksuale me ta në mënyre të përsëritur.
Pas disa kohësh shqetësimin e vajzës kishin arritur ta kuptojnë edhe familjarët e saj, ndërsa përballë kërcënimeve të vazhdueshme edhe e mitura më në fund kishte vendosur të rrëfejë atë çfarë i kishte ndodhur.
Kjo ngjarje e cila ndodhi në fshatin Tarazh të Mirditës tronditi mbarë opinionin publik dhe u shoqërua me protesta në disa qytete të Shqipërisë.
Por 5 të akuzuarit kanë mohuar në vazhdimësi akuzat, duke e konsideruar këtë çështje të sajuar me qëllim përfitimi nga familjarët të vajzës së mitur.