Pezullohet nga detyra inspektori i policisë në Tiranë: Shantazhonte një grua se do i publikonte fotot nudo

0
16

Mbrëmjen e djeshme emisioni solli investigativ “Fiks-Fare”, publikoi rastin e një zonje e cila është shantazhuar nga një punonjës i Policisë së Shtetit, i cili bashkë me të shoqen i kanë marrë qytetares 3 milion lekë të vjetra.

Zonja tregoi se policin dhe të shoqen i njohu kur punonte në treg dhe ata po kërkonin për qiraxhinj. Kështu në apartamentet që ata jepnin më qira çoi njerëz të saj.

Pas publikimit të një rasti ku një efektiv i policisë shantazhonte një grua me foto të saj nudo ka ardhur edhe reagimi i Policisë së Shtetit.

Reagim i Policisë së Shtetit:

Në lidhje me rastin e transmetuar në emisionin investigativ “Fiks-Fare”, në Top Channel, ku një punonjës policie kishte shantazhuar një shtetase dhe i kishte marrë një shumë parash për të mos i publikuar fotot, ju bëjmë me dije se:

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në zbatim të Nenit 222, pika 8 të Rregullores së Policisë së Shtetit ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, Inspektor J.K, me detyrë trup shërbimi për ruajtjen dhe sigurimin e objektit të Policisë Shkencore dhe ndaj tij ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.

Ndërkohë Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur menjëherë hetimin penal ndaj punonjësit të Policisë. Policia e Shtetit falenderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me detyrën të punonjësve të Policisë dhe i fton sërish ata, që të denoncojnë çdo rast të tillë, duke i’u garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.