Pjesë e bandave të Vlorës/ Kush është Florian Plaku, 41-vjeçari që ekzekutoi Gentian Bejtjan në derën e shtëpisë

0
92

 41-vjeçari Florian Plaku është autori i ekzekutimit të ish-policit të burgjeve Gentian Bejtja në muajin Mars. Bejtja është vrarë me breshëri plumbash në derën e banesës së tij në Fushë Krujë, pasditen e 15 Marsit.

Mësohet se Plaku së bashku me Ilir Beqirajn kanë shkuar në makinë tip Land Rover Discover, pranë banesës së Bejtjas dhe më pas kanë kryer ekzekutimin e janë larguar nga aty në drejtim në aksit Larushkë – Thumanë. Burime bëjnë me dije se Plaku nuk është person i panjohur për autoritetet, pasi ai dyshohet se është i përfshirë në bandat e Vlorës.

Ndërkohë që në muajin korrik, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, në mungesë për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Po ashtu ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet se është larguar jashtë Shqipërisë.

Pjesë nga njoftimi i Policisë:

Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1885 datë 26.07.2024 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i dyshuar pë kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
 
Shërbimet e DVP Tiranë, të mbështetura në fazën operacionale nga shërbimet e DVP Vlorë, kanë ushtruar kontrolle për lokalizimin e shtetasit F. P., alias F. S., alias F. M., 41 vjeç, dhe vijon puna për kapjen e këtij shtetasi i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Vrasja e Gentjan Bejtjas

Gentian Bejtja u ekzekutua me 15 mars në banesën e tij. Ai ishte një emër i njohur për drejtësinë dhe ishte i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda. Në 9 janar të vitit 2022, Gentian Bejtja ish-polic burgu, i shpëtoi një atentati me breshëri kallashnikovi, në afërsi të Niklës në Fushë-Krujë, por u plagos në krah miku i tij 31 vjeçar Klodian Stafuka i cili ndodhej me të në makinë gjatë momentit kur ndaluan për të furnizuar makinën në një pikë karburanti. Dy të dyshuarit për vrasjen e tij janë Edison Haxhia dhe Ilir Beqaraj.