Plas sherri me thika në Elbasan, 49-vjeçari përfundon me urgjencë në spital, arrestohet autori

0
1100

Një sherr me thika ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Elbasan, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një 49-vjeçar, sipas policisë jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka arrestuar shtetasin Gëzim Vogli, si autor të plagosjes, ndërsa burimet pohojnë se sherri ka ndodhur për motive të dobëta.

Njoftimi i policisë:

Plagosi me mjet prerës një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i ngjarjes.

Më datë 26.07.2021, Policia ka marrë njoftim se në lagjen “Emin Matraxhiu”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi G. V., 34 vjeç, kishte plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin A. K., 49 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë, falë vlerësimit në kohë të informacionit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes, ku bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariat të autorit të dyshuar të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve, shtetasi G. V., 34 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.