Policia e Shtetit: Udhëtoni me kujdes gjatë fundjavës, do të shtojmë radarët dhe kontrollet në rrugë!

0
45

Policia bën me dije se ka marrë masa të shtuara gjatë fundjavës, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Blutë theksojnë se makinat inteligjente dhe radarët automatikë, janë në monitorim 24/7 qarkullimit rrugor, në të gjithë territorin e vendit. Duke marrë parasysh se fluksi i lëvizjeve është më i lartë në fundjavë, kryesisht në akset rrugore nacionale dhe në qendrat e mëdha urbane, si dhe nga shkeljet e konstatuara nga mjetet inteligjente, Policia e Shtetit do të intensifikojë masat gjatë fundjavës.

Në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet dhe monitorimet intensive, duke përdorur makinat inteligjente, radarë automatikë, dronë, kamera, aparate fotografike, alkooltestues dhe mjete të pauniformuara, me qëllimin e vetëm, parandalimin e aksidenteve rrugore.

Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e automjeteve, motomjeteve, çiklistët dhe këmbësorët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.