Prokuroria nis hetimet për aksidentin në Lanë, pritet ekspertiza autoteknike për të përcaktuar shkaqet

0
220

E ndërsa Bashkia dhe po mendon ta lerë për instalacion autobusin e linjes së Unazës, i cili përfundoi në Lanë mbrëmjen e së premtes, duke rrezikuar jetën e dhjetëra udhëtareve, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit.

Aktualisht çështja po hetohet nga prokurori Shpëtim Garunja, i cili e ka regjistruar ngjarjen deri tani si kundravajtje penale, pasi nuk ka viktima dhe të plagosurit janë të dëmtuar lehtë.

Kjo ka sjellë edhe mosarrestimin e asnjë prej drejtuesve të mjeteve.

Por ndërkohë pritet ekspertiza autoteknike e mjeteve si dhe ekspertiza e vendgjarjes së ekspertëve të Policisë Shtetit, të cilët do të përcaktojnë shkakun e ngjarjes së rëndë, e cila për pak mund të shndërrohej në një tragjedi.

Rtv Ora ka mësuar se nga verifikimet paraprake ekspertët dyshojnë se faji është i autobusit, ndërsa ekspertiza do të jetë ajo që do e përcaktoje edhe shkencërisht nëse mjeti ka qenë apo jo në kushte të mira teknike, apo ka qenë drejtuesi i mjetit ai që ka humbur kontrollin.

Autobusi drejtohej nga 62-vjeçari Muhamet Kyçyku, i cili ka qënë duke qarkulluar në korsinë e mesit kur ka humbur kontrollin dhe nuk ka mundur dot të qëndrojë në stacion.

Për të shmangur përplasjen me mjete të tjera që po qarkullonin në këtë aks, drejtuesi i autobusit ka nxjerrë mjetin nga rruga, duke u përplasur fillimisht me një mjet “Benz” që drejtohej nga 27-vjeçari Jurgen Rama, i cili ishte duke qarkulluar paralelisht në korsinë e djathtë.

Më pas mjetet u përplasën me një pemë dhe përfunduan në lumin Lana.

Nga aksidenti morën lëndime të lehta 5 persona.