Protokollet kundër COVID-19/ Intensifikohen kontrollet në bare e restorante

0
281

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të masave kundër COVID-19 ka intensifikuar kontrollet tek operatorët e biznesit.

Drejtori i përgjithshëm i AKU-së, Robert Lili ishte sot në terren për të parë nga afër respektimin e protokolleve kundër COVID-19 në një nga furrat e bukës në Tiranë.

Lili, në një deklaratë për mediet, u shpreh se gjatë periudhës së pandemisë janë kryer 19 mijë inspektime, ku janë marrë masa administrative përkatëse për të gjithë Operatorët e Biznesit Ushqimor (OBU) në shkelje të kërkesave ligjore për sigurinë ushqimore.

Gjithashtu, Lili theksoi se dominojnë masat paralajmëruese dhe këshilluese për subjektet ushqimore, ndërsa janë marrë 80 masa administrative gjobë me vlerën nga 50,000 deri 300,000 lekë, si dhe janë mbyllur aktivitet e 7 subjekteve ushqimore që cënonin rëndë sigurinë ushqimore.

Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së është e ndaluar rreptësisht që të shërbehet në bare dhe restorante brenda ambjenteve. Gjithashtu, me hapjen e sezonit turistik, AKU tashmë do jetë e pranishme në terren për të kontrolluar të gjitha pikat ushqimore, baret dhe restorantet.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është i vendosur për të ndëshkuar çdo tentativë shkelje ligjore me zero tolerancë ndaj kujtdo që tenton të cenojë sadopak sigurinë ushqimore.

AKU po vijon pareshtur monitorimin dhe respektimin e masave edhe në njësitë e shërbimit të bareve dhe restoranteve në mjediset e brendshme dhe të jashtme.

“Me hapjen e sezonit turistik, AKU tashmë do jetë e pranishme në terren për të kontrolluar të gjitha pikat ushqimore bare dhe restorante”, – tha Lili.atsh