Refuzojnë të ikin! Infermierët jo më për në Gjermani, maturantët: Largimi nuk është zgjidhje

0
74

Programet e mjekësisë vitet e fundit kanë qenë më të kërkuarat nga maturantët pasi diploma në këto degë u garanton mundësi punësimi jashtë vendit. Por jo të gjithë duan të largohen. Të shumta janë dhe ata që kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre. 

Laureta Llaha të hënën bëri zgjedhjen për atë që nesër do të jetë profesioni i saj. Do të studiojë për Infermieri të Përgjithshme në Universitetin e Tiranës.

“Unë synoja mjekësi të përgjithshme, por duke qenë se pati shumë konkurencë dhe nuk ia dola dot, vendosa që të djeg degët e tjera dhe të regjistrohem tel një pjesë e ëndrrës sime,” tha ajo.

Maturantja me rezultate të larta nga qyteti i Gramshit thotë se nuk e ka zgjedhur këtë degë me synim punësimin në Gjerami, apo gjetkë ku kushtet janë shumë më të mira.

“Kemi shpresa që edhe do të rregullohen gjërat dhe pse jo të qendrojmë në vendin tonë. Përse të largohemi,” tha ajo.

E vetëdijshme që në Shqipëri pengesat e vështirësitë janë të shumta, Laureta thotë se as largimi nuk është zgjidhje.

“Problemet nuk zgjidhen duke u larguar,” tha ajo.

Nuk është e vetmja që dëshiron të qendrojë në vendin e saj.

Edhe Sara e cila po ashtu do të nisë në tetor studimet për Infermieri refuzon të emigrojë.

“Nuk e kam për qëllim të largohem nga këtu,” tha ajo.

Shpresojnë për ditë më të mira në atdheun e tyre.

“Unë kam ndërmend që të qëndroj këtu. Më pëlqen vendi im,” tha një tjetër studente.

Të hënën ishte dita e katërt e regjistimeve në universitete. Në të gjitha programet e studimit edhe në ato më të kërkuarat ka kuota të lira.

Në degën e Mjekësisë së Përgjithshmë të lira janë rreth 15 vende, në Farmaci e Stomatologji 100, Infermieri mbi 200.