Eksportuesit e bimëve mjekësore vijojnë të përballen me gjetjen e lëndës së parë për të përballuar kërkesën e tregjeve të huaja. Për shkak të reduktimit të bimëve të kultivuara, kompanitë po rrisin importet. Shoqata e Bimëve Medicinale kërkon që fermerët të mbështeten me subvencione direkte dhe të rikthehet skema e TVSH-së së rimbursueshme
Dorina Azo
Buxheti i vogël për sektorin e bujqësisë dhe mungesa e subvencioneve direkte për fermerët po ndihet nga industritë e ekonomisë. Por kompanitë më të mëdha në vend janë të shqetësuara nga rënia e kultivimit të bimëve mjekësore dhe për të përballuar kërkesën e eksporteve janë të detyruara të shtojnë importet.
Tkurrja e prodhimit është ndikuar nga shpopullimi i zonave malore, emigrimi i fermerëve, mungesa e subvencioneve, rritja e çmimeve të inputeve bujqësore dhe Paketa Fiskale 2022.
Eksportet e bimëve mjekësore shënuan rritje 14% në 2020 kur nisi pandemia në raport me 2019, por industria humbi mundësinë “e artë” për të shfrytëzuar hapësirat e krijuara në tregun europian dhe më gjerë të bimëve mjekësore.
Pamundësia e eksportuesve për të investuar në makineri dhe për të rritur shkallën e përpunimit të produktit final ndikoi në humbjen e shansit të sektorit për të konkurruar me rajonin.
Sipas të dhënave të doganave, eksportet e bimëve mjekësore në vitin 2021 u rritën 6% krahasuar me vitin e kaluar. Për vitin 2022, kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, tha për “Monitor” se trendi rritës i eksporteve 6-7% do të mund të garantohet vetëm me rritjen e importit të bimëve mjekësore, pasi në vend ekziston mungesë e theksuar e lëndës së parë.
Për kreun e Shoqatës së Bimëve Medicinale është shqetësuese heqja e skemës së kreditueshme të TVSH-së 6%, që do të shtojë pesimizmin e fermerëve për të kultivuar tokat bujqësore. Arsye tjetër e rënies së prodhimit vendas mbetet shpopullimi i zonave malore, por edhe ikja e fermerëve në emigracion.
“Nga viti në vit, importi i bimëve që më pas rieksportohen është rritur. Për 2021, vlera e importeve ishte 2 milionë dollarë dhe parashikohet të zgjerohet edhe në vitin 2022. Sipërmarrësit importojmë mëllagën e bardhë, dëllinjën e zezë, rigonin, rozmarinën nga Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Tunizia dhe Ukraina, pasi tokat në vend janë djerr.
Kompanitë janë të detyruara të importojnë lëndë të parë nga Kosova, Mali i Zi, Tunizia, Ukraina dhe vende të tjera me qëllim që të përmbushim kërkesat e tregut të huaj që bashkëpunojmë prej 30 vitesh”.
Vendi kryesor i eksporteve është Gjermania. Për 2020-n, rreth 32% e produkteve të këtij grupi u eksportuan në Gjermani, SHBA dhe rreth 10% e tyre në Turqi dhe Francë.
A do të importohet sherebela dhe rigoni për tu përpunuar më pas për eksport?
Kompania “Albanian Herb”, në Shkozet të Durrësit, është e njohur për bashkëpunimin e saj me një ndër sipërmarrjet më të mëdha turke për eksportin e rigonit dhe të sherebelës.
Kujtim Zere, nga “Albanian Herb”, pohoi se këtë vit, sektori do të ketë vështirësi për të përmbushur kërkesat për eksport të bimëve mjekësore. Arsyet kryesore janë problematikat e mbartura ndër vite.
“Problemet për sektorin e eksportit të bimëve mjekësore janë krijuar ndër vite dhe për to nuk është dhënë zgjidhje. Nga kompanitë po ndihet më shumë mungesa e fuqisë punëtore për mbledhjen e bimëve në male dhe në fabrikat përpunuese, por në anën tjetër, ka edhe rënie të të mbjellave nga fermerët.
Me kalimin e viteve po ulet sasia e bimëve natyrale që mbillen nga bujqit, për shkak të largimit të tyre. Zonat malore janë plot me bimë, por nuk ka njerëz që t’i mbledhin. Një pjesë e konsiderueshme e fermerëve janë larguar nga fshati dhe kanë emigruar në Greqi dhe Gjermani, pasi nuk iu leverdis të mbjellin tokën.
Fermerët e tjerë kanë ulur kultivimin e bimëve, pasi nuk i përballojnë kostot e të mbjellave. Për shkak të këtyre dukurive, 2-3 vitet e fundit kompanitë eksportuese të bimëve mjekësore dhe aromatike janë detyruar të importojnë lëndën e parë.
Këtë vit hyri në fuqi edhe heqja 6% e TVSh-së së kreditueshme, që do të shtojë problematikat e sektorit. Efekti i parë do të jetë tek ulja e çmimit, e cila prek fermerin që kultivon bimët mjekësore”.
Puna për grumbullimin e bimëve edhe për këtë kompani eksportuese është e organizuar me fermerët. Para se të blihen nga fermerët, produktet kontrollohen në pikat e grumbullimit, por edhe pasi vijnë në fabrikë për pesticide. Në tregjet e huaja, aktualisht është rritur kërkesa për bimë mjekësore, e forcuar edhe nga pandemia.
Eksportuesit ngrenë shqetësimin e mungesës së bimëve në vend, çka do t’i detyrojë ata të importojnë nga shtetet e tjera dhe më pas t’i rieksportojnë. Kompania “Albanian Herb” e eksporton sherebelën e kultivuar nga zona Mbishkodrës në Turqi, ndërsa rigoni i kultivuar në zonën e Belshit eksportohet në Greqi.
Edhe për eksportuesin Kujtim Zere, ekziston frika që, këtë vit, kërkesa për eksporte nuk do të mund të plotësohet nga tregu vendas.
Sipas tij, e ardhmja e sektorit duhet të jetë shtimi i kultivimeve, i cili kërkon mbështetje në subvencione për fermerët, në të kundërt kompanitë do të jenë të detyruara të importojnë lëndën e parë nga jashtë. “Rritja e kërkesës gjithmonë është shoqëruar me ulje të cilësisë së bimës së sherebelës nga tregu vendas.
Për këtë arsye, për të plotësuar kontratat e eksportit, shumë kompani janë detyruar të importojnë nga shtete si Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Egjipti. Këtë vit shihet se ka rënie të prodhimit të sherebelës dhe kjo po ndodh për shkak të emigrimit të popullsisë të këtyre zonave. Ne ende nuk kemi nisur importin, por nëse do të jetë e nevojshme, do të marrin lëndën e parë nga jashtë. Para disa vitesh kemi importuar nga Bosnjë-Hercegovina.”
Arif Daçi, nga kompania “Agroherbal”, thekson se këtë vit, importi i bimëve mjekësore do të diktohet nga hapësirat e tregut të eksporteve për Europën.
“Nuk është vetëm rënia e prodhimit që ka ndikuar tek importet e bimëve medicinale. Në vend kultivohen bimë që nuk janë konkurruese për tregun, pasi prodhimi i Egjiptit apo Marokut është më cilësor, për shkak të klimës dhe përpunimit. Importet kryhen edhe për disa lloje bimësh që nuk kultivohen, apo pasi çmimet e tyre në Shqipëri janë më të shtrenjta se vendet e rajonit.
Kjo nuk mund të konsiderohet fatalitet për sektorin, por shfrytëzimi i mundësive për të ruajtur pozicionet në tregun e huaj”. Kompania “Agroherbal” e plotëson pjesën më të madhe të eksporteve nga tregu vendas, si dhe importon bimë nga Kosova, Egjipti apo Maroku.
Shkalla e përpunimit të produktit final
Shkalla e përpunimit të bimëve në Shqipëri është e ulët për shkak të mungesës së investimeve. Në tërësi, sektori arrin të përpunojë në produkt final 25% të prodhimit, ndërsa 75% eksportohet si lëndë e parë.
Hyrja në fuqi në vitin 2023 e kritereve të reja për aplikim të fondeve të BE-së nga kompanitë eksportuese të bimëve mjekësore, pritet t’i japë frymëmarrje sektorit, sipas kryetarit të Shoqatës së Bimëve Medicinale, Filip Gjoka.
“Presim që për vitet 2023-2030, shkalla e përpunimit të produktit final të rritet, pasi hyn në fuqi ndryshimi i rregullave për aplikimet e kompanive shqiptare në projektet e granteve të BE-së.
Me vendimin e ndryshuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, edhe kompanitë me xhiro deri në 11 milionë dollarë kanë të drejtë të aplikojnë për fondet e BE-së. Më parë, kompanitë me xhiro deri 2,4 mln dollarë nuk mund të aplikonin për fondet mbështetëse të BE-së.