Reshje të dendura shiu dhe bore kanë mbizotëruar në gjithë vendin përgjatë tre ditëve të fundit, por Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa probleme.

Sipas ARRSH-së, kontraktorët për mirëmbajtjen e akseve rrugore kanë punuar gjatë gjithë natës me mjete borëpastruese dhe punëtorë për pastrimin e rrugës nga bora, shpërndarjen e kripës dhe pastrimin e trupit të rrugës nga materialet inerte në ato segmente ku kanë vijuar reshjet e shiut.

“Akset rrugore nacionale janë të hapura dhe qarkullimi kryhet pa problem. Drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore”, apeloi ARRSH-ja.

Edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku apeloi drejtuesit e mjeteve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

“Dëbora ka mbuluar lindjen dhe veriun e vendit. Të gjitha skuadrat e Autoritetit Rrugor Shqiptar janë në gatishmëri të plotë për të mbajtur çdo aks rrugor të hapur për kalimin e automjeteve. Respektoni rregullat e qarkullimit në kushtet atmosferike të rënduara. Kujdesuni për veten dhe familjet tuaja”, bëri thirrje ministrja. /j.p/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu