Rritet ndjeshëm kredia për ekonominë në qershor, nga energjia, ndërtimi dhe tregtia

0
176
Woman with bills and calculator. Woman using calculator to calculate bills at the table in office. Calculation of costs.

Qershori, muaji i parë që u hap ekonomia pas një mbyllje gati tremujore, ka shënuar një tendencë pozitive në drejtim të kreditimit nga sistemi bankar.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, huaja e re për ekonominë në lekë arriti në qershor në 17.8 miliardë lekë, pothuajse tre herë më e lartë se në maj, duke shënuar nivelin më të lartë mujor që nga dhjetori 2019.

Zgjerimi ishte më i fortë për kredinë afatgjatë mbi 5 vjet, por të gjitha maturitetet e tjera shënuan rritje.

E njëjtë ka qenë tendenca edhe për huanë e re në euro, që në muajin qershor ishte 61 milionë euro, duke u dyfishuar në raport me majin, ndërsa ka shënuar nivelin më të lartë që nga muaji janar.

Bankierët pohojnë se pas hapjes së ekonomisë, ka pasur një kërkesë të shtuar për të marrë hua, por ajo mbetet e kufizuar në disa sektorë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se rritja e kredisë së re në qershor u ndikua në pjesën më të madhe nga huamarrja e sektorit privat, konkretisht nga energjia, ndërtimi, tregtia me shumicë dhe pakicë dhe aktivitete të tjera shërbimi.

Stoku i kredisë për ekonominë, në fund të muajit qershor arriti në gati 590 miliardë lekë (4.7 miliardë euro), sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, me një rritje prej 1.3% në raport me muajin e mëparshëm. Me bazë vjetore, huadhënia për ekonominë është zgjeruar me 6.6%.

Por, rritja e stokut mund të rezultojë e fryrë, si rrjedhojë e moskthimeve, për shkak se në mars Banka e Shqipërisë mundësoi pezullimin e kësteve të kredive për bizneset dhe individët që arrinin një marrëveshje me bankat. Fillimisht pezullimi ishte për një periudhë tremujore dhe më pas ai u zgjat dhe për tre muaj, deri në fund të gushtit. Banka bëri të ditur se janë ristrukturuar rreth 2 miliardë euro kredi, ose rreth 42% e stokut total të huasë në vend.

 

Por, kushtet e kredisë mbeten të shtrënguara

Banka e Shqipërisë në vrojtimin e aktivitetit kreditues për tremujorin e dytë, konstatoi se “Bazuar në vlerësimin e bankave tregtare, standardet e kreditimit u shtrënguan në tremujorin e dytë të vitit 2020. Në reflektim të situatës dhe pasigurisë së lartë prej pandemisë, bankat aplikuan standarde më të shtrënguara si në kreditë akorduar bizneseve, ashtu edhe në kreditë e dhëna individëve, në të gjitha nënkategoritë përbërëse. Në të njëjtën linjë me standardet, bankat shtrënguan edhe termat e kushtet e kreditimit në kreditë e reja për bizneset dhe individët”.

Sipas vrojtimit, Kërkesa për kredi u perceptua në rënie të theksuar si nga ana e bizneseve, ashtu edhe nga individët. Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin të shtrëngojnë standardet e kreditimit për bizneset, veçanërisht në kreditë dhënë për financimin e investimeve.

Në të kundërt, bankat shprehen për lehtësim të pritur të standardeve të kreditimit për individët në tremujorin e tretë. Kërkesa për kredi në tremujorin e tretë të vitit 2020, sipas gjykimit të bankave, pritet të jetë më e lartë si nga ana e bizneseve, ashtu edhe nga ana e individëve. Kërkesa për kredi nga ana e bizneseve pritet të nxitet nga kreditë për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, ndërkohë që ajo nga ana e individëve prej kredisë konsumatore.