Sa do rritet ‘kuleta’ e pensionistëve nga muaji i ardhshëm

0
105

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar paketa e rezistencës Sociale dhe indeksimi i pensioneve për të gjithë kategoritë e pensionistëve.

Pas përfundimit të mbledhjes të qeverisë ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj në një komunikim për mediat tha se indeksimi i pensioneve do të jetë 3,3%. Ibrahimaj tha se paketa do të përfshijë edhe subvencionet për naftën në sektorin e transportit, fermerëve dhe subvencione direkte 3,000 lekë për 3 muaj për shtresat në nevojë.

“Me aktin normativ është miratuar indeksimi 3,3% i pensioneve për të gjitha kategoritë., si për pensionet e plotë, të pjesshme, të reduktuara, të invaliditetit, për ndihma të posaçme shtetërore, pensionet e fshatit dhe qytetit. Efekti financiar në buxhetin e shtetit  është prej 3,3 mld lekë.

Në fakt parashikimi fillestar për indeksimin e pensioneve ka qenë në vlerën 2,4%  sa inflacioni mesatar vjetor i vitit të kaluar. Nisur nga rritja e çmimeve për muajin janar dhe shkurt vendosëm që për pensionet rritja të jetë 3,3% sa mesatarja e inflacionit për shkurt 2022.

576 mijë persona do të marrin 3,000 lekë për 3 muaj. Sipas llogaritjeve shtesa e shpenzimeve mesatare për 1 familje është 2500 lekë për 1 muaj nga rritja e çmimeve. Kjo i shtohet elementëve të tjera të paketës për subvencionimin e naftës për sektorin e transportit dhe fermerëve dhe mbështetjes për çmimin e energjisë me vlerë 28 mld lekë”, pohoi Ibrahimaj.