Sa paguajnë familjet shqiptare për shkollimin e fëmijëve

0
111

Nëse keni një fëmijë që kthehet në shkollë, një gjë është e sigurt: kur bëhet fjalë për koston, blerja e furnizimeve që u nevojiten nxënësve do t’ju sjellë një faturë të majme!

Muaji gusht dhe fillimi i shtatorit njihet si periudha që shpenzimet më të mëdha të familjeve shqiptare shkojnë për arsimin e fëmijëve. Dhe vitin 2023 rëndoi edhe më shumë xhepat e shqiptarëve. Nga mjetet kancelarike, te veshjet dhe pagesat për shërbime arsimore si shkollë private apo institucione të kujdesit ‘after school’, ishin vetëm disa nga gama e shpenzimeve të kushtueshme, por të nevojshme.

Rritja e çmimeve këtë vit konfirmohet edhe nga INSTAT. Në raportin e fundit të publikuar për inflacioni, rezulton se, krahasuar me muajin Gusht 2022, rritja e çmimeve në grupin “Shërbimi arsimor” është me 2,2 %.

Sipas vëzhgimeve në terren, çmimet kanë shënuar rritje  20-35% krahasuar me vitin e shkuar, sipas kategorive të ndryshme të blerjeve.
Familjet me fëmijë në shkollën fillore deri në fund të sistemit 9-vjeçar thonë se planifikojnë të shpenzojnë gati 30 mijë lekë për blerje këtë vit, duke përfshirë veshje, këpucë, duke përjashtuar pajisjet elektronike.

Një nga ankesat e përvitshme të tyre janë çmimet e larta të artikujve shkollorë, të cilat prindërit janë të detyruar t’i blejnë dhe t’i riblejnë gjatë vitit si produkte konsumi. Ndonëse librat në sistemin arsimor shtetëror shpërndahen falas, një pjesë e prindërve i blenë, për të shmangur pajisjen me libra të përdorur.

Torta e shpenzimeve për këtë ditë, e cila nis që për fëmijët e ciklit parashkollor dhe në kopsht, ndahet mes dyqaneve të vogla dhe qendrave tregtare, ku grupet kryesore janë:

Veshje / uniforma (për sistemin arsimor privat)

Mjetet kancelarike

Këpucë

Çanta / mushama, çadra, termusë uji

Libra

Operatorët pranë kancelarisë “Infiniti Office” në Tiranën e Re, thonë se shitjet kanë rënë ndjeshëm këtë vit. “Vëmë re reduktim të numrit të fëmijëve në shkolla, të cilët u drejtohen kancelarive tona. Ne kemi disa pika në Tiranë dhe këtë vit, ndihet rënie e ndjeshme e shitjeve. Jemi fokusuar dy vitet e fundit në përmirësimin e gamës së produkteve që ofrojnë, duke sjellë mjete më cilësore”, – pohojnë ata.

Burime pranë “ZED Kancelari”, thonë për “Monitor” se ka pasur interes të lartë për çantat e shkollës. Këtë vit, pohojnë nga departamenti i shitjes, janë zgjedhur çanta me çmime të larta, mbi 6000 lekë, edhe për fëmijët e kopshteve, me idenë e përdorimit të një çante disa vite.

Sa kushton dita e parë?

Një nga gjërat thelbësore që prindërit duhet të blejnë për fëmijët janë librat, të cilët variojnë me çmime mesatarisht 6000 lekë.

Bëhet fjalë për klasat e gjashta e në vijim të ciklit 9-vjeçar, pasi cikli fillor deri në klasën e pestë, librat i merr falas. Megjithatë, duke qenë libra të përdorur, shpesh prindërit e këtij cikli sërish i blejnë. Kosto e paketave të librave për klasat e para këtë vit ishte 6200 lekë, klasa e dytë 5200 lekë, klasa e tretë rreth 6000 lekë. Por vetëm me libra nuk mund të thuash se e ke kompletuar pjesën e artikujve shkollorë të një fëmije.

Lapsat, stilolapsat, fletoret, bojërat, letrat A4 dhe ato me ngjyra, janë pjesa tjetër e domosdoshme që duhet të blihen dhe u nevojiten. Mesatarisht, kostoja e gjithë këtyre produkteve shkon rreth 6000 lekë për çdo fëmijë. Kjo duke llogaritur një kosto fillestare, sepse gjithmonë ka produkte që nevojiten në vijimësi të procesit mësimor. Çantat janë një tjetër mjet i domosdoshëm për çdo nxënës. Çmimi i tyre varion nga 1,500-10,000 lekë.

Por nëse gjithë këtyre shpenzimeve do t’u shtojmë edhe çmimin e veshjeve, vihet re rritje çmimesh, në varësi të markave. Për shkollat private, kosto e konsiderueshme është ajo e uniformave, që nis nga 15000 lekë,  si dhe paketa e librave, të cilat janë kryesisht jashtë tarifës zyrtare të shkollës.

Rritja më e madhe e çmimeve është te fletoret, e cila sipas librarive vjen si pasojë e shtrenjtimit të çmimit të letrës. Nëse çmimi i një fletore të vogël

dy vite më parë ishte 59 lekë, tani për të njëjtën fletore paguani dyfishin. Fletoret me cilësi më të mirë, të cilat para pandemisë mund të bliheshin me çmim 50-80 lekë, tani janë rreth 150 lekë. E njëjta gjë ndodh edhe me mjetet e tjera. Kancelaritë pohojnë se çmimet varen nga marka dhe cilësia e materialeve. Mund të gjenden materiale më të lira dhe më të shtrenjta.

Por, shpeshherë, prindërit nuk mund të zgjedhin për një çmim më të leverdisshëm, duke qenë se lista e mjeteve kancelarike udhëzohet nga mësuesi respektiv i fëmijës.

Nëse bëjmë një mbledhje në total të të gjitha çmimeve për artikujt shkollorë rezulton se prindërit duhet të shpenzojë mesatarisht 13’000 lekë për të çuar një fëmijë në shkollë, pa librat dhe me hamendësimin se produktet janë me kosto mesatare dhe jo të blera në dyqane me çmime të shtrenjta. Kjo kosto e ditës së parë ka rritje prej 35% krahasuar me përllogaritjen e një viti më parë, të bërë nga “Monitor”.

MONITOR