Sevilla fitoi Europa Legue, tifozët e Romës sulmojnë arbitrin dhe familjen e tij në aeroport

0
87

Arbitri anglez i finales së Europa League, Anthony Taylor, është sulmuar në aeroport nga tifozë të Romës, të cilëve duket se nuk u ka pëlqyer aspak mënyra se si e drejtoi ai finalen e ekipit të tyre ndaj Sevilla.

Shumë tifozë të Romës e rrethuan arbitrin, i cili ishte i shoqëruar nga gruaja dhe vajza e tij, e cila po qante e tmerruar. Menjëherë ndërhyri policia për të qetësuar situatën, ndërsa anglezin e shoqëruan në një zonë private të aeroportit.

Roma humbi me penallti ndaj spanjollëve dhe sulmet ndaj arbitrit, këtë herë verbale, i nisi trajneri Jose Mourinho, i cili u xhirua në parkingun e stadiumit “Puskas Arena” duke i bërtitur gjyqtarit fjalët “Ishte për turp”.

Taylor nxori kartonin e verdhë plot 14 herë për lojtarët e të dyja ekipeve, më shumë se në çdo ndeshje tjetër në historinë e Europa League. Gjithashtu, mori disa vendime të vështira, duke i dhënë një penallti Sevilla, për ta hequr më pas me VAR, ndërkohë që nuk e pa të arsyeshme të akordonte penallti për Romën pas një prekjeje të topit me dorë në zonë.