Shënohet viktima e 49-të, vdes në spital 66 vjeçari nga Tirana

0
293

Një pacient 66-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në spitalin infektiv në QSUT, i konfirmuar me COVID19, i shtruar prej një jave në gjendje të rëndë.

“Gjendja e tij është përkeqësuar si pasojë e vështirësë në frymëmarrje dhe pavarësisht frymëmarrjes së drejtuar, terapisë intensive medikamentoze dhe kujdesit të stafit mjekësor, 66-vjeçari, i cili vuante nga diabeti dhe hipertensioni, nuk ka mundur të mbijetojë.” informon sot Ministria e Shendetesise

Që nga fillimi i epidemisë, 49 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19, ndërsa vijon të ketë raste të rënda që po trajtohen në shërbimin infektiv.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregojnë kujdes në zbatimin e rregullave në përditshmëri dhe bizneset të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor dhe Task-Forca anti-COVID vijojnë të jenë në terren 24/7 për monitorimin dhe kontrollin e zbatimit të protokolleve të sigurisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 344 testime për të dyshuar të prekur me Covid19 nga të cilat janë konfirmuar 78 raste pozitive. Numrin më të lartë të të prekurve ditorë e ka Shkodra me 14 raste, në Krujë janë identifikuar 13 të prekur, Tirana ka 12 raste, 9 janë identifikuar në Pukë, 6 në Delvinë, nga 4 raste në Gjirokastër, Vlorë, Kukës, nga 2 raste në Kamëz, Durrës, Fier, dhe nga 1 rast përkatësisht në Kurbin, Korçë, Kavajë, Lushnje, Mirditë, Pogradec.

ora news