Shkatërrohet banda e dhunshme kriminale e Ballkanit, 37 të arrestuar

0
50

Një operacion i madh ndërkombëtar me 37 të arrestuar është zhvilluar në kordinim me autoritetet kroate.

Europol përmes një njoftimi raporton se të arrestuarit ishin pjesë e një bande kriminale “shumë të dhunshme” nga Ballkani Perëndimor.

Sipas agjensisë së zbatimit të ligjit të Bashkimit Evropian, kjo “celulë e fuqishme kriminale” ishte e përfshirë kryesisht në trafikun në shkallë të gjerë të drogës dhe armëve të zjarrit në të gjithë Evropën.

Gjatë hetimit u arrestuan gjithsej 37 të dyshuar, duke përfshirë kreun e bandës, një shtetas të Bosnjë e Hercegovinës, të cilin Europol e konsideron një objektiv me vlerë të lartë dhe që aktualisht po vuan një dënim me katër vjet burg në Itali”, thuhet në njoftimin e Europol.

Kreu i bandës dyshohet se organizonte kontrabandën e drogës dhe armëve të zjarrit duke u dhënë urdhra vartësve, edhe pse ishte në qeli.

Në të njëjtën kohë, të enjten, një seri bastisjesh u kryen në Kroaci, Slloveni, Bosnje dhe Hercegovinë, Holandë, Itali, Belgjikë dhe Gjermani kundër anëtarëve të dyshuar të bandës.

Së bashku me arrestimet, policia sekuestroi rreth 148 000 euro para të gatshme, 18 armë zjarri, duke përfshirë dy automatikë dhe 500 gramë TNT me detonatorë nga distanca. Gjithahstu në këtë operacion policia ka sekuestruar 15 kilogramë kokainë, 11 kilogramë heroinë, si dhe sasi më të vogla të drogave të tjera.

Hetimi ndërkombëtar pasoi atë që Europol e përshkroi si një “hetim i ndërlikuar” i kryer nga policia kroate si pjesë e Task Forcës “Ballkan Cartel”./abcnews.al