Shqipëria ka regjistruar 64 infektime të reja me koronavirus ndërkohë që në 24 orët e fundit kanë humbur jetën edhe dy pacientë që mjekoheshin tek Infektivi në gjendje të rëndë. Qytetet më problematike janë Tirana, shkodra dhe Kruja ndërkohë që mes të shtruarve në gjendje të rëndë edhe edhe një mjek i repartit të Hematologjisë, i cili po mbahet i intubuar. Numri i pacientëve të shtruar në spital ka arritur në 84.
Shqipëria vazhdon të ketë një bilanc të rënduar nga koronavirusi, duke regjistruar 64 infektime të reja dhe dy humbje jete në 24 orët e fundit.
“Në 24 orët e fundit, referuar shërbimit infektiv, një paciente 78 vjeçare nga Tirana, e transferuar nga një spital jopublik, ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, megjithë trajtimin intensiv në reanimacion dhe një pacient 83 vjeçar nga Durrësi, në terapi intensive, i cili vuante nga hipertensioni”.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 371 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 64 raste pozitive.
Doktoreshë, Eugena Tomini, nga Instituti i Shendetit Publik tha se kanë vijuar shtrimet në spitalin Infektiv ku aktualisht po trajtohen 84 pacientë, 11 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar.
Ndërkohë shpërndarja gjeografike e virusit është më problematike në Tiranë, Shkodër dhe Krujë.
“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 15 raste në Tiranë, 13 në Krujë, 11 në Shkodër, 7 në Durrës, 4 në Lezhë, nga 3 raste në Kukës, Pukë, 2 në Kurbin, dhe nga 1 rast përkatësisht në Korçë, Elbasan, Vlorë, Berat, Mat, Pogradec”.
Mes personave të infektuar mësohet se është edhe një 56-vjeçar, mjek i repartit të Hematologjisë, i cili është vendosur në intubim tek spitali Infektiv.
Ministria e Shëndetësisë u ka kërkuar qytetarëve të evitojnë festat apo ceremonitë me më shumë se 10 persona në ambiente të mbyllura ndërsa ka theksuar se mbajtja e maskës është domosdoshmëri për të parandaluar përhapjen e infeksionit në ato ambiente ku nuk ruhet distanca.
COVID-19 – Statistika (29 Qershor 2020)
Testime totale 26663
Raste pozitive 2466
Raste të shëruara 1438
Raste Aktive 970
Humbje jete 58 (Qarku Tiranë 32, Durrës 10, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 7, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 358
Durrës 198
Shkodër 155
Vlorë 100
Fier 47
Lezhë 39
Korçë 28
Kukës 18
Elbasan 13
Gjirokastër 7
Berat 6
Dibër 1
oranews