“Shoferët nuk zënë mend”, 35-vjeçari me 176 km/h ndalohet nga postblloku i dytë i policisë

0
206

Drejtuesit e mjeteve vijojnë të thyejnë rregullat e qarkullimit, ku vetëm përgjatë fundjavës janë tërhequr më shumë se 100 patenta. Shpejtësia maksimale që policia ka konstatuar është 176 km/h në zonën e autostradës Tiranë-Elbasan.

Më shumë se 100 patenta janë hequr drejtuesve të mjeteve përgjatë fundjavës në rrugët e vendit.

Ata janë ndëshkuar nga policia pasi janë konstatuar duke drejtuar mjetin me shpejtësi 80 km/h mbi normën e lejuar apo dhe në gjendje të dehur.

Rasti konkret është i një 35-vjeçari nga Tirana, i cili qarkullonte me 176 km/h.

Ai është ndaluar gjatë ndjekjes nga patrullat e tjera të Policisë Rrugore që ishin vendosur në distancë, pasi nuk ndaloi kur punonjësi i Policisë i dha shenjë ndalimi.

Krahas masës për pezullimin e patentës policia bën me dije se ka vënë dhe mbi 1200 masa administrative për shkelje si parkimi i gabuar, mos vendosje rripit të sigurimit, parakalim i gabuar apo përdorimi i celularit në timon.

Gjatë patrullimeve mësohet se janë shoqëruar në komisariat 2 automjete luksoze për verifikime të mëtejshme, pasi drejtuesit e tyre qarkullonin paralel duke biseduar me njëri-tjetrin dhe tentuan për të zhvilluar gara shpejtësie.

Gjithashtu ka patur dhe raste të verifikimeve të automjete të tjera prodhim i viteve të fundit, pasi drejtuesit e automjeteve kryenin manovra të rrezikshme në rrugë dhe kishin mangësi në dokumentacion.

Pavarësisht kontrolleve të policisë, aksidentet rrugore kanë shënuar rritje përgjatë muajve të verës, duke e rënduar bilancin e viktimave.

Gjatë muajit gusht janë regjistruar rreth 150 aksidente në të gjithë vendin, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 17 personave dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve.

ora news