Shtyhen gjobat për Fiskalizimin për tri kategori

0
118

Komisioni i Ekonomisë dhe Financës, diskutoi sot Aktin Normativ “Për një shtesë në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

E pranishme në punimet e këtij komisioni zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Vasilika Vrejo tha se, “Akti Normativ prek Ligjin për Procedurat Tatimore dhe ka të bëjë me shtyrjen e afatit të aplikimit të penaliteteve që rrjedhin nga procesi i Fiskalizimit deri në 6-mujorin e dytë të vitit 2022”.

Sipas saj, procesi i Fiskalizimit ka hyrë në zbatim vitin e kaluar për tatimpaguesit të ndarë sipas fashave. Por përmbushja e detyrimeve ligjore të fiskalizimit ka sjellë edhe vështirësi dhe, për rrjedhojë, dhe pamundësi operimi për tri kategori tatimpaguesish.

Vjero theksoi se “ky akt normativ ka si qëllim krijimin e kushteve për dhënien e kohës së mjaftueshme subjekteve tatimpaguese, të cilat kanë detyrimin për zbatimin e dispozitave të ligjit për fiskalizimin, kryesisht subjekteve të biznesit të vogël që e kanë të vështirë përshtatjen me teknologjinë dhe që nuk kanë peshë në realizimin e të ardhurave tatimore në buxhetin e shtetit, si dhe subjekteve që ofrojnë furnizime jetike për konsumatorët finalë, që janë furnizimet me ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Gjithashtu, grupi i tretë janë bankat dhe institucionet financiare që kanë parashtruar problematika teknike të lidhura me raportimin e pagesave që nuk varen prej tyre, por kushtëzohen nga teknologjia në përgjithësi”.

Zv.ministrja bëri me dije se, ky Akt Normativ vjen në përgjigje edhe të kërkesës së tatimpaguesve, që operojnë në këto fusha, të cilët kanë kërkuar më shumë kohë në zbatimin e ligjit të Fiskalizimit.

Qëllimi ynë, u shpreh Vjero, është dhënia e kohës së mjaftueshme për bizneset që të ngrenë, të përshtasin dhe të familjarizohen me lehtësi e sa më mirë me procesin e ri të Fiskalizimit. Administrata jonë do të vijojë me këshillimet, me qëllim rritjen e efektivitetit të procesit, zbatimin e plotë dhe raportimin në kohë reale.

Nga analizat e realizuara nga administrata tatimore, rezultojnë aktualisht rreth 45.026 tatimpagues, ose 55 % e totalit të biznesit të vogël. Kjo kategori ndahet ndërmjet atyre të cilët janë pajisur me certifikatë fiskalizimi, por nuk lëshojnë fatura, 23.172 tatimpagues dhe të kategorisë që nuk janë pajisur ende me certifikatë fiskalizimi pranë AKSH-it, 21.854 tatimpagues.

Gjithashtu, këta tatimpagues nuk rezultojnë si shitës në librat e blerjes të TVSH-së së popullatës së tatimpaguesve për vitin 2021.