Si lindi “dita e gënjeshtrave”, ja disa nga teoritë

0
75

Në Shqipëri e njohim si “Dita e Gënjeshtrave”, por nëpër botë njihet si “Dita e Budallenjve” (Fools’ Day). Ndonëse origjina dhe data e saktë ende mbeten të panjohura për njerëzit, mendohet se 1 prilli festohej në Britaninë e Madhe të paktën që në shekullin XIX.

Në atë kohë, rrengjet dhe gënjeshtrat bëheshin më tepër nga fëmijët, por shumë gjëra kanë ndryshuar ditët e sotme.

Për sa i përket origjinës, ka teori të ndryshme. Mendohet se tradita e kësaj dite ka nisur në Francë, kur në vitin 1564, u ndryshua kalendari nga ai Julian në atë Gregorian, duke bërë kështu që 1 janari “i vjetër” të bëhej 1 prill

Megjithatë, siç thuhet, kishte ende njerëz të cilët Vitin e Ri e festonin me kalendarin e vjetër pra, më 1 prill, duke menduar se ishte akoma 1 janar. Këta u quajtën “budallenj” dhe 1 prilli u bë dita e tyre.

Më pas, kjo datë u kthye në një traditë argëtuese nga britanikët, të cilët në vitet 1800 filluan t’i bënin njëri-tjetrit rrengje më 1 prill.

Aq seriozisht u morën këto shaka, sa filluan të praktikoheshin edhe nga institucionet prestigjioze, si për shembull BBC e cila në 1957-ën, botoi një artikull ku thuhej se “të korrat e makaronave në Zvicër po kapnin rekorde, ndërsa jufkat po çelnin nëpër pemë.”

Ndërsa tani, shkatë janë kufizuar thjesht në gënjeshtra “të bardha” (ose jo edhe aq) që ne i bëjmë njëri-tjetrit, në çdo 1 prill.

Si festohet nëpër botë?

Në Francë, Belgjikë, Itali dhe zonat frëngjishtfolëse të Zvicrës, fëmijët e kanë traditë që t’i vendosin njëri tjetrit në shpinë një letër në formë peshku. Në Skoci, 1 prilli zgjat 2 ditë. Ditën e dytë njerëzit shpesh goditen papritur nga pas.

Në Kanada dhe Angli, gënjeshtrat e 1 prillit lejohen të thuhen deri në mesditë. Pastaj loja mbaron.

Në Irlandë, tradita dikton dërgimin e dikujt në një “punë budallai”. Ai dërgohet për të dorëzuar një letër, ku supozohet se kërkohet ndihmë.

Kur personi merr letrën, e hap atë, e lexon dhe i thotë lajmëtarit se do t’i duhet t’ia çojnë letrën një personi tjetër. Kjo vazhdon derisa dikujt i vjen keq dhe i tregon se çfarë thotë letra: “Dërgoje budallain te dikush tjetër”.

Gjermanët bëjnë një shaka të quajtur “Aprilscherz”, e cila ka të bëjë me rrëfimin e një historie, e cila është krijuar plotësisht për të mashtruar të tjerët.

Në Greqi, mashtrimi i dikujt në këtë ditë thuhet se i sjell fat shakaxhiut për të gjithë vitin.

Kurse në vendin tonë, Dita e Gënjeshtrave zgjat 24 orë dhe sigurisht përpiqemi që skenari i hileve dhe mashtrimeve të jetë sa më i besueshëm dhe i rëndë për “të mashtruarin”.