Sillte me postë droga nga Anglia, arrestohet 34 vjeçari dhe ish punonjësja e postës

0
232

Trafik droge nga Anglia përmes postës. Vihet në pranga 34-vjeçari. Arrestohet edhe bashkëpunëtorja e tij, e cila mori nga posta, pakon me lëndë të dyshuar narkotike.

I arrestuar është A. Gj., 34 vjeç, me precedent të mëparshëm penal për tentativë vrasjeje, dhe H. F., 64 vjeçe, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Hiqmet Buzi”, me një pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë 1 kilogram e 223 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi A. Gj. e ka siguruar pakon me lëndë të dyshuar narkotike nga Anglia, nëpërmjet postës. Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasja H. F., ish-punonjëse e postës, ka marrë në postë, pakon me lëndë të dyshuar narkotike, të dërguar në emër të shtetasit A. Gj,” njoftoi sot Policia e Shtetit.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. Gj., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një tjetër pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 75 gramë, një shumë parash të dyshuar të përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, idnetifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.