Skema Kombëtare, mbështetje Bletarisë/ Përfitojnë 1377 fermerë nga 1486 aplikantë gjithsej

0
216

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR) ka publikuar listat e aplikantëve që kanë aplikuar pranë saj dhe grupin e atyre që janë kualifikuar për të përfituar nga Skema Kombëtare.

Në përditësimin e fundit AZHBR njofton se ka ulur vijën e financimit për fermerët aplikantë, të cilët kanë përmbushur kriteret e vendosura për masat mbështetëse: Tufa bazë e matrikulluar; Bletari; Financime për zëvendësim plastmasi termik dhe Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike. Kjo ka sjellë rritje të konsiderueshme të numrit të fermerëve përfitues nga subvencionet në bujqësi.

Konkretisht për masën 2 të Bletarisë, do të përfshihen në fond aplikimet deri në numrin rendor 1 377, kundrejt totalit të aplikimeve që shënon numrin rendor 1486.

Krahasuar me listën e përditësuar nga AZHBR në muajin qershor 2020, ku rezultonin 823 përfitues për Masën Bletari, në listën e përditësuar në shtator 2020, numri i aplikantëve përfitues është rritur me 554 fermerë.

Në total janë 1 377 bletarë aplikantë që do të përfshihen në fondin e Skemës Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi 2020.

Subvencionimi në bletari parashikon 1 mijë lekë për zgjua për fermat që kanë jo më pak se 50 koshere, ndryshe nga viti i kaluar që ka qenë për 100 koshere.

Ulja e numri nga 100 në 50 koshere është bërë me qëllim për t’i dhënë një tjetër nxitje zhvillimit të këtij aktiviteti. Bletaria në Shqipëri ka një traditë të hershme. Mjalti i prodhuar në vendin tonë shquhet për cilësi kurative dhe vlera të larta ushqyese për shkak të natyrës dhe klimës që ka vendi ynë. /j.p/r.e/