Skolioza, deformimi që po njeh rritje tek fëmijët. Nis depistimi në Elbasan

0
55

20% e fëmijëve në dy shkolla të Elbasanit kanë rezultuar me skoliozë, një deformim ky i shtyllës kurrizore me shumë pasoja. Matja referohet nga Ministria e Shëndetësisë, e cila synon që këtë vit të depistojë të gjithë fëmijët e moshës 10-15 vjeç. Sipas mjekëve ortoped stili i jetesës ka shtuar rastet tek fëmijët të cilët adresohen vonë tek mjeku nga padija e prindërve për shenjat.

3% e fëmijëve të moshave shkollore sipas statistikave ndërkombëtare vuajnë nga skolioza idiopatike, një deformim i shtyllës kurrizore që nuk i njihen shkaqet. Ortopedët sqarojnë kushtet kur kemi një skoliozë.

“Skolioza dallohet kur ne shohim në pozicionin ballor personin dhe kolona apo shtylla kurrizore është pak ose shumë e harkuar, dhe ka marrë formën e germës S”, u shpreh ortopedi Abdurrahim Palushi.

E vetmja matje në Shqipëri është bërë në dy shkolla të Elbasanit ku sipas Ministrisë së Shëndetësisë incidenca e këtij deformimi doli e lartë.

“Matja tregoi se ka patur një përqindje të lartë me këtë deformim. Gati 20% e fëmijëve të depistuar kanë rezultuar se vuajnë nga skolioza“, tha zv.ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Por cilat janë shenjat që duhet të alarmojnë prindërit për fëmijët e tyre?

“Shenja e parë është asimetria e supeve. Njëri prej supeve rri më lart dhe tjetri më poshtë. Shenja e dytë  është dhimbja e shpinës e pashpjegueshme, pra që fëmija nuk ka patur asnjë shkak traume më herët”, tha ortopedi Palushi.

Për herë të parë në të gjitha shkollat nis këtë vit depistimi i nxënësve të moshës 10-15 vjeç nga mësuesit e fizkulturës, të cilët do të trajnohen për të zbuluar rastet.

“Këtë vit shkollor, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit do të ndërhyjnë në të gjitha shkollat, publike dhe private, me një program depistimi për fëmijët e moshave nga 10-15 vjeç. Për këtë qëllim do të trajnohen të gjithë mësuesit e fizkulturës me paketat bazë të identifikimit me qëllim zbulimin e rasteve të mundshme. Fëmijët që do të konstatohen si raste të dyshuara me skoliozë do të drejtohen për te mjeku i familjes, i cili do të bëjë konfirmimin e rastit dhe më pas drejt mjekut specialit për t’u trajtuar me programe të veçanta”, tha Rakacolli.

Për të shmangur skoliozën tek fëmijët mjekët japin disa rregulla

“Fëmijët duhet të mbajnë qëndrim korrekt, në pozicione korrekte gjatë ngrënies, orës së studimit në shtëpi dhe klasë. Çanta e vendosur në shpinë duhet të mbahet nga të dyja krahët. Të evitohet qëndrimi në telefon për orë të tëra”, janë disa nga këshillat e mjekut ortoped.

Çdo devijim i dukshëm i shtyllës kurrizore duhet të adresohet shpejt, ndërsa sporti më i mirë, thonë mjekët, është noti.