Napoli dhe Juventus do të diskutojnë sonte finalen e Kupës së Italisë. Për Gatusso-n ky mund të jetë trofeu i parë në karrierë si trajner, ndërsa ‘zonja e vjetër’ ka grumbulluar sulmuesin e kombëtares Vrioni.
Në Stadio Olimpico të Romës sonte do të luhet finalja e Kupës së Italisë mes Napolit dhe Juventusit, njëjtë si tetë vite më parë. Një ndeshje për rekorde pasi në rast fitoreje të Juventusit Buffon do ta ngrejë për herë të gjashtë titullin, aq sa trajneri i Italisë Mancini, ndërkohë ky kompeticion është i vetmi ende i pakoleksionuar në palmaresin e Ronaldo-s.
Nga ana tjetër ky do ishte trofeu i parë për Gatusso-n si trajner, po ashtu edhe për Sarri-n në Itali, që para takimit është shfaqur i nervozuar. Trajneri i Juventusit për mediat është shprehur: ‘Nervozohem shumë kur dëgjoj se në Itali ende nuk kam fituar asgjë, por harrojnë se rezultat e mia me Juventusin janë më të mirat në 50 vite si trajner debutues.’
Ndryshe nga sfida me Interin Elseid Hysaj pritet ta nisë në stol finale me Juventusin, ndërkohë që për t’u evidentuar është fakti se ‘zonja e vjetër’ për këtë takim ka grumbulluar edhe sulmuesin e kombëtares shqiptare Giacomo Vrioni.
Shqiptarja.com