Superiore/ Egnatia mund Elbasanin dhe sulmon kreun, Laçi fiton duelin e ‘mbijetesës’ ndaj Skënderbeut

0
23

Egnatia ka mposhtur me rezultatin 3-1 Elbasanin në sfidën e vlefshme për javën e 15-të të Superiores.

Fitorja në Rrogozhinë për vendasit u vendos nga dopieta e Regi Lushkjes. Goli i tretë dhe i fundit për djemtë e Tetovës nga Jahaja pati vlerë për statistikë në fund.

Lushkja shënoi në pjesën e parë, pikërisht kur luhej minuta e 12-të pas një gabimi të Abalorës.

Në anën tjetër Lajthia barazoi 9 minuta më vonë te verdheblutë.

Pjesa e dytë foli më pas për rrogozhinasit, të cilët fillimisht u rikthyen në avantazh me Lushkjen në minutën e 77-të. Jahaja i futur nga stoli në fund vulosi takimin.

Pas kësaj ndeshje, Egnatia parakalon Vllazninë dhe vendoset në vendin e dytë. 1 pikë më pak numërojnë rrogozhinasit se Partizani kryesues që luan nesër me Tiranën.

Elbasani ndërkohë nuk njeh asnjë fitore në fazën e dytë të kampionatit. Kjo ishte ndeshja e tetë pa fitore në Superiore për verdheblutë që rrezikojnë dhe vendin e pestë.

Ndërkohë në ndeshjen tjetër Laçi i Françesko Morieros u është kthyer përsëri fitoreve dhe në një ndeshje ndaj një rivali direkt si Skënderbeu, ka marrë tre pikë shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë.

Kurbinasit kanë dominuar sidomos në pjesën e parë të takimit, duke kërkuar me ngulm golin derisa e gjetën me Kofi.

Më pas, ata u munduan që të administronin lojën më me qetësi, por duke mos harruar të thumbonin portën e Alias.

Skënderbeu iu afrua barazimit duke goditur traversën në pjesën e parë, ndërsa ishte me fat në të dytën teksa dy herë shtylla u mohoi golin e radhës vendasve.

Në fund, fitorja 1-0 nisi festën e Laçit që e sheh veten përsëri jashtë zonës së rënies direkte nga kategoria, teksa kthen aty Skënderbeun që duket në krizë të thellë dhe i rrezikuar për mbijetesën.