Federata spanjolle e futbollit shkarkoi trajnerin e ekipit kombëtar të femrave, Jorge Vilda vetëm tri javë pasi Spanja fitoi Kupën e Botës, për shkak të debateve rreth presidentit të pezulluar të federatës së futbollit, Luis Rubiales.
Trajneri Vilda ishte mes atyre që mbështetën zotin Rubiales kur ai refuzoi të jepte dorëheqjen, me gjithë kritikat e shumta me të cilat ai u përball pasi puthi lojtaren spanjolle Jenni Hermoso në buzë pa lejen e saj, gjatë festimeve të fitores në Sidni muajin e kaluar.
Zoti Rubiales, që kishte bërë edhe një gjest të pahijshëm pas fitores së titullit në ndeshjen finale, u pezullua përkohësisht nga FIFA dhe qeveria spanjolle po heton sjelljen e tij që nxiti një stuhi kritikash dhe thirrje të shumta për dorëheqjen e tij.
Më pas zoti Vilda e pranoi se sjellja e zotit Rubiales ishte e pahijshme. Edhe trajneri i ekipit të meshkujve, Luis de la Fuente po ashtu përkrahu qëndrimin e zotit Rubiales kundër atyre që ai i quajti “feministe të rreme” dhe kërkoi falje të premten për atë që e përshkroi si “gabim të pafalshëm njerëzor.”
Kapitenët e ekipit kombëtar spanjoll të meshkujve e dënuan të hënën “sjelljen e papranueshme” të zotit Rubiales në shenjë mbështetjeje ekipit të femrave, që fitoi Kupën e Botës.
Zoti Vilda ishte në krye të ekipit gjatë Kupës së Botës megjithëse disa nga lojtaret ishin shprehur kundër tij në një krizë vitin e kaluar, që rrezikoi vendin e tij të punës. Pesëmbëdhjetë lojtare u larguan nga ekipi kombëtar për shkak të shëndetit mendor dhe bënë thirrje për një ambient më profesional. Vetëm tri nga to u kthyen në ekipin që fitoi Kupën e Botës.
Zoti Vilda u përkrah fuqimisht nga zoti Rubiales gjatë gjithë procesit.
Presidenti aktual i federatës spanjolle të futbollit, Pedro Rocha, publikoi një letër të martën duke i kërkuar falje botës së futbollit dhe shoqërisë spanjolle në përgjithësi për sjelljen e zotit Rubiales.
Zoti Rocha tha se federata kishte përgjegjësinë t’i kërkonte “sinqerisht ndjesë botës së futbollit në tërësi,” si dhe institucioneve të futbollit, tifozëve, lojtarëve – sidomos ekipit kombëtar të femrave – “për sjelljen plotësisht të papranueshme të përfaqësuesit të saj më të lartë.”
“Sjellja e tij nuk përfaqëson aspak vlerat e shoqërisë spanjolle në përgjithësi, institucioneve të saj, përfaqësuesve, atletëve dhe udhëheqësve spanjoll të sportit,” shkroi zoti Rocha./ VOA