Të maskuar dhe automatik në lokalin e Zejmenit, pushohet hetimi për Ramazan Rrajën, nipin e deputetit dhe dy miqtë

0
131

Janë pushuar akuzat për Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili në 6 dhjetor të vitit të kaluar u shpall në kërkim policor, si person i implikuar në ngjarjen me armë të rregjistruar në 13 nëntor 2021, në fshatin Zejmen të Lezhës.

Rraja u dyshua nga policia së bashku me dy persona të tjerë, se kishte marrë pjesë në një sulm me armë, ku në ambjentet e një lokali, shfaqen tre persona të armatosur teksa kontrollojnë dikë.Por pasi binden, se tre personat që ndodheshin në lokal nuk ishin objektivi, njerëzit e armatosur dalin nga ambjentet e lokalit, duke mos cënuar asnjë nga individët që ishte prezent aty.

Tashmë për këtë ngjarje prokuroria e Lezhës ka vendosur pushimin e ndjekjes penale të akuzave si “Vrasje e mbetur në tentativë” kryer në bashkëpunim, ”Mbajtje pa lejë të armëve” dhe “Kanosjes me armë”.

Bashkë me Rrajën, mësohet se tre akuzat e mësipërme janë pushuar se hetuari edhe për dy personat e tjerë, Roan Brahimi dhe Alesio Dobruzin, informon Ora News.

Të tre këta persona, një muaj pas ndodhjes së ngjarjes, së bashku me Rrajën u shpallën në kërkim nga policia e Lezhës. Në atë periudhë tre të rinjtë, nuk mundën të arrestohen, pasi mendohej se u larguan të tre në Dubai.

Ndërsa pas disa muaj hetime, prokuroria, ka dalë në përfundimin se akuzat për tre të rinjtë s’mund të provohen dhe nisur nga kjo situatë ndjekja penale ndaj tyre të pushohet. Aktualisht çështja e sulmit me armë e rregjistruar në 13 nëntor 2021 në fshatin Zejmen të Lezhës, është pezulluar duke i kaluar policisë për zbulim autori.

Sipas raportit hetimor të strukturave të policisë Lezhë, ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm, ndërmjet kushëririt të pronarit të lokalit Ani Kolës, dhe një miku të tre të rinjve, Ramazan Rrajës, Alesio Dobrozit dhe Roan Brahimit.

Policia shpalli në kërkim tre të rinjtë si personat që shkuan të armatosur në lokalin e Ani Kolës dhe kanë kërkuar kushëririn e tij, të riun e identifikuar vetëm me iniciale L.M (Kola), i cili më herët ishte konfliktuar me Gj.J, mik i tre të shpallurve në kërkim.

Por për fatin e tij të mirë, “shënjestra” nuk ndodhej në lokal në momentin e ngjarjes. Madje në lokal ndodhej edhe pronari i biznesit, Ani Kola.

Të vetmit që ndodheshin brenda, ishin tre të rinj që po konsumonin pije, e nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen. Por për shkak se tre të rinjtë nuk raportuan ngjarjen në polici, prokuroria i ka marë ata në ndjekje penale për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.