Të revoltuar, këngëtarët kërkojnë mbajtjen e dasmave

0
485

Të suksesshëm e me shumë punë e cilësuan vitin 2019-të pothuajse të gjithë këngëtarët, e sidomos ata të dasmave e ahengjeve të tjera familjare.

Por, 2020-shi doli të jetë krejt ndryshe dhe kjo për shkak të pandemisë Covid-19.

Të mbetur pezull, pa ndonjë vendim konkret e duke parë situatën e tanishme në vendin tonë, disa prej këngëtarëve, të prirë nga Labinot Tahiri dolën të hënë në një protestë para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar kështu lejimin e mbajtjes së dasmave dhe ahengjeve të tjera, raporton emisioni #gjesi në T7

E qysh në fillim të kësaj proteste, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, doli në oborrin e qeverisë duke i ftuar organizatorët në një takim. Fillimisht, ishte një diskutim i shkurtër brenda qeverisë, dhe më pas këngëtarët bashkë me ministrin Zemaj vazhduan drejt ministrisë së Shëndetësisë për të zhvilluar më gjerësisht këtë takim.

Pas takimit, u bë e ditur se javën e ardhshme do të merret një vendim përfundimtar nëse do të lejohet organizimi i dasmave, apo jo.

Këngëtarët të cilët ishin të pranishëm në këtë protestë u shprehën të pakënaqur me trajtimin që po u bëhet.

Ata po e shohin si të pakuptimtë moslejimin e mbajtjes së dasmave, duke parë situatën dhe tubimet e ndryshme të organizuara ditëve të fundit në vendin ton.

M i revoltuar me gjithë këtë situatë ishte Labi. Madje, ai tha se i gjithë virusi është vetëm një gënjeshtër.

Labi vazhdoi duke thënë se nëse vetëm një rast pozitiv del nga kjo protestë, pasojat dhe dënimin do ta vuaj ai personalisht.

Pos estradës, të pranishëm në këtë protestë ishin edhe pronarë të shumtë të restoranteve e kompanive të ndryshme, përfshirë këtu edhe fotografët.

Ky i fundit bëri të ditur se shpejt do të organizohet një tjetër protestë, kësaj radhe nga disenjatorët e make-up artistët, po ashtu si shenjë pakënaqësie ndaj gjithë këtyre zhvillimeve.

T7