Të tjera telashe për inceneratorin e Elbasanit, ankimohen dy tenderë në KPP

0
651

Dy procedura prokurimi të hapura nga Eco-Elb shoqëria që i kaloi e drejta e inceneratorit të Elbasanit me aksionerë disa bashki të këtij rajoni janë ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik. Në fakt bëhet fjalë për procedura të hapura në prill të këtij viti por duket se vlerësimi i ofertave është bërë vetëm së fundmi duke lënë të pakënaqur operatorët për vendimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Konkretisht bëhet fjalë për procedurat “Monitorimi i parametrave mjedisore dhe hartimi i raporteve mjedisore (për impiantin)” dhe “Monitori i parametrave mjedisore dhe hartimi i raporteve mjedisore (per landfillin)”.  Ankimimi është bërë vetëm pak ditë më parë nga i njëjti operator për të dyja procedurat.

Por cili është objektivi që ka në vetvete procedura e hapur nga ECO-Elb? “Qëllimi i këtij raporti monitorimi është të pasqyrojë situatën reale të performancës mjedisore të landfill-it të Elbasanit dhe të paraqesë ndikimet që ky objekt kanë mjedis përreth në përputhje me kërkesat ligjore. Është e rëndësishme që të dhënat e prodhuara të jenë përfaqësuese, të domosdoshme, të vlefshme dhe që lejojnë vlerësimin e saktë të ndikimit të deponisë në mjediset. Qëllimi i programit të monitorimit fillimisht duhet të identifikohet nga procesi i hetimit, vlerësimit te ndikimit në mjedis dhe natyra e mbetjeve që depozitohen. Ai duhet të përfshijë të gjitha fushat mjedisore që mund të ndikohen ndjeshëm përmes funksionimit të landfillit.

Monitorimi i ujit sipërfaqësor dhe nëntokësorë duke përfshirë bio-cilësinë dhe analizimin e parametrave kryesore Monitorimi i ajrit dhe shqyrtimi i niveleve të ndotjes në zonë duke identifikuar parametrat që janë në nivele problemetike. Monitorimi i ndotjes akustike ka për qëllim vlerësimin e nivelit të ndotjes akustike në pikat kryesore të zonës, për të dhënë mundësinë që të gjykohet mbi nivelin e zhurmës së emetuar” thuhet në dokumentin.

Eco Elb është kompani e krijuar në 18.11.2021 dhe ka në objekt të aktivitetit “Grumbullimi, rehabilitimi dhe përpunimi i mbetjeve te ndryshme, organike, te ngurta, te gjelberta,..etj, ne territorin administrativ të të gjithë bashkive te Qarkut Elbasan. Trajtimi i mbetjeve me djegie (incenerator). Prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike. Aktivitete te tjera ne fushën e përpunimit te mbetjeve, qe lejon ligji, për interesat e shoqërisë dhe te komunitetit. Aksionerë të saj janë Bashkia Cërrik me 8 për qind, Gramsh me 8 për qind. Elbasan 52 për qind, Peqin 8 për qind, Belsh 8 për qind, Librazhd 8 për qind.

Aktualisht çështja e inceneratorëve është me e diskutuara pas avancimit të hetimeve nga ana e SPAK ku pak kohë më parë u lëshuan 11 urdhër arreste dhe pesë persona u vunë në pranga.  Çështja përfshin jo vetëm inceneratorin e Elbasanit por edhe të Fierit dhe Tiranës./monitor.al