Tekstet shkollore falas/ Miratohen kategoritë që përfitojnë mbështetje buxhetore për kompensimin 100%

0
272

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shtypjen, botimin, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore të sistemit të Arsimit parauniversitar.

Sipas këtij vendimi, ministria përgjegjëse për arsimin miraton dhe certifikon tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, të cilat konkurrojnë, në barazi të plotë, në përzgjedhje nga përdoruesit.

Tekstet shkollore shpërndahen në mjediset shkollore dhe çmimi i shitjes është ai i vendosur në kopertinën e tekstit shkollor të certifikuar. Çmimet e teksteve shkollore, të miratuara nga ministria përgjegjëse për arsimin, indeksohen çdo vit, në përputhje me rritjen e inflacionit, të publikuar nga INSTAT-i.

Po ashtu, vendimi përcakton që tekstet duhet të jenë të pajisura me pullën me hologramë të certifikimit, të ministrisë përgjegjëse për arsimin. Pulla me hologramë u shitet botuesve nga ministria përgjegjëse për arsimin, kundrejt pagesës. Tekstet, që tregtohen pa këtë pullë, i nënshtrohen procesit të konfiskimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Vendimi parashikon edhe kategoritë që do të përfitojnë mbështetje buxhetore për kompensimin në masën 100% të çmimit të teksteve shkollore.

Kështu, përfitojnë nxënësit në arsimin bazë që i përkasin kategorisë së pakicave kombëtare ose janë fëmijë, i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje.

Po ashtu, përfitojnë edhe nxënësit në arsimin parauniversitar që kanë përfituar statusin e jetimit; vijnë nga familje të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga zyrat e punësimit; janë me aftësi të kufizuara, sipas ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë” ose vijnë nga familje që kanë në përbërjen e tyre anëtarë me aftësi të kufizuara.

Përfitojnë gjithashtu nxënësit që vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension invaliditeti shteti; vijnë nga familje ku kryefamiljari përfiton pension pleqërie shteti dhe kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura; i përkasin kategorisë rome dhe egjiptiane.

Përfitojnë po ashtu nxënësit që gëzojnë statusin e të verbrit, të cilët pajisen me tekste shkollore të transkriptuara në shkrimin brail, të regjistruara në audio ose në shkrim të zmadhuar, të cilat janë pronë e shkollës.

Kategori tjetër përfituese janë nxënësit viktima të trafikimit, të cilëve u ofrohet ndihmë dhe asistencë nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra Kombëtare Tranzitore e Emergjencës, sipas kërkesës zyrtare për sasinë e teksteve shkollore të nevojshme.

Përfitojnë edhe ata që gëzojnë statusin e viktimës dhe të viktimës së mundshme të trafikimit’, nxënësit e moshës shkollore të arsimit parauniversitar, të cilët janë në institucionet e paraburgimit/vuajtjes së dënimit; apo janë të shtruar në Shërbimin Onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Kategori tjetër përfituese janë edhe fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, të cilët kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.

Po ashtu përfitojnë edhe nxënësit që janë përfitues në institucionet e përkujdesjes sociale rezidenciale publike, në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendrën Kombëtare të Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendrën Kombëtare Tranzitore të Emergjencës.

Vendimi parashikon që nxënësit që ndjekin arsimin bazë në klasën e parë në institucionet arsimore publike, u jepen tekstet shkollore të reja, çdo vit, në përdorim falas. Nxënësve, që ndjekin arsimin bazë në institucionet arsimore publike nga klasa e dytë deri në klasën e shtatë, u jepen tekstet shkollore në përdorim falas.

Institucionet arsimore publike si dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar, brenda muajit korrik të çdo viti, përgatisin listën e parashikuar të teksteve për përdorim falas dhe të reja, nga klasa e parë deri në klasën e shtatë.

Çmimi i blerjes së teksteve shkollore për kategoritë e përcaktuara në këtë vendim mbulohet nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin, në formën e “Transfertës tek individët” dhe “Transfertës te shtëpitë botuese”, sipas rastit, në masën 100% të tij.

atsh