Temperaturat e larta djegin pyjet e Kanadasë, evakuohen mijëra banorë

0
50

Mijëra njerëz u detyruan të linin shtëpitë e tyre në Alberta, në perëndim të Kanadasë për shkak të zjarreve shkatërruese të pyjeve.

Autoritetet kanë kërkuar që rreth 13,000 njerëz në Alberta të evakuohen pasi të paktën 78 zjarre shpërthyen në të gjithë provincën.

Deri të enjten vonë, e gjithë popullsia e qytetit të vogël të Drayton Valley, rreth 7,000 njerëz, ishte evakuuar. Në të njëjtën kohë, 20 shtëpi janë djegur në zonën e Liqenit të Foksit.

Vendi kaloi një javë me temperatua jashtëzakonisht të larta, të cilat shkaktuan edhe përmbytje pasi bora po shkrihej me shpejtësi të madhe.

Që nga fillimi i vitit, raporton Guardian, Alberta ka pësuar 348 zjarre që kanë djegur rreth 250,000 hektarë deri më sot. Sipërfaqja e djegur është më e madhja që është vërejtur vitet e fundit për muajt e parë të vitit.

Ndërkohë autoritetet presin që temperatura të rritet edhe më shumë, por edhe të fryjë erëra të forta, të cilat pritet të intensifikojnë zjarret.

Deri javën e kaluar, Kanadaja kishte një pranverë përgjithësisht të ftohtë. Ditët e fundit temperaturat janë rritur në disa vende deri në 10 apo 15 gradë Celsius mbi normalen e sezonit.

/abcnews.al