
“Më falsifikuan vulën”. Partia Demokratike e përfaqësuar nga Gazmend Bardhi dorëzoi sot në SPAK kallzimin penal për falsifikim të vulave, stampave ose formularëve
Kallëzimi ka emrat e 3 deputetëve demokratë që dolën krah Berishës në Kuvendin e 11 dhjetorit në “Air Albania” por dhe dy demokratëve që kanë mbajtur postin e sekretarit të kryesisë PD por të shkarkuar dje nga Këshilli Kombëtar i mbledhur nga Basha.
Të paditur në SPAK janë deputetët Belind Këlliçi, Edmond Spaho, Albana Vokshi, si dhe Ivi Kaso, Ervin Minarolli “si dhe çdo person i paidentifikuar deri tani nga ana jonë por që me veprime konkrete rezulton mbas hetimit që ka përgjegjësi penale”
Bëhet fjalë për veprën penale të “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 190 paragrafi i 2 dhe 25 i Kodit Penal.
Në kallëzim drejtuar SPAK-ut thuhet se këta janë përsona që kane patur funksione në PD, kanë dijeni për rregullat e statutit, dhe e kanë kryer veprën penale të përdorimit të vulës dhe simboleve për të realizuar qëllimet e tyre, pavarësisht se ishin në dijeni të pasojave ligjore.
PD e ka depozituar kallëzimin në SPAK, pasi 3 nga të kallëzuarit janë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Padia: Kallëzim penal për “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 190 paragrafi 2 dhe 25 i Kodit Penal.
