Turqia, Greqia dhe Franca drejt marrëveshjes për të evakuuar banorët e Mariupolit

0
86

Qeveria franceze po përpiqet të mbledhë një koalicion të vogël ndërkombëtar për të negociuar për një “operacion humanitar” për evakuimin e civilëve nga qyteti port i Mariupolit në jug të Ukrainës, raporton Agence France-Presse.

Presidenti francez tha pas samitit në Bruksel se plani i tij për të organizuar evakuimin e Mariupolit është diskutuar me kryetarin e qytetit dhe është bërë në bashkëpunim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron , njoftoi pas samiti të Bashkimit Evropian se pret të bisedojë përsëri me presidentin rus Vladimir Putin brenda tre ditëve të ardhshme për të diskutuar çështjen e evakuimit të qytetarëve të Mariupolit.

Qyteti juglindor i Mariupolit, një qytet me 400 mijë banorë përpara luftës, po goditet vazhdimisht nga bombardimet ruse. Dhjetëra mijëra banorë besohet se janë ende të bllokuar, teksa gjenden me pak akses në ushqim, energji elektrike ose ngrohje, ndërsa qyteti rreth tyre është kthyer në rrënoja.