Ulet çmimi i naftës, nga 235 lekë për litër, shkon në 232! Rritet çmimi i benzinës, shkon në 212 lekë për litër! Gazi do të kushtojë 9 lekë më pak

0
83

Prej 23 prilli çmimi i naftës në pikat e karburanteve do të jetë 232 lekë për litër, benzina 212 lekë për litër dhe gazi i lëngshëm 104 lekë.

Referuar çmimeve të mëparshme të vendosura nga bordi, rezulton se uljen më të madhe me 9 lekë e ka pasur gazi i cili nga 115 lekë në 104 lekë. Nafta nga 235 Lekë/litri është ulur me 3 lekë, ndërsa benzina është rritur me 1 lek.

Ky vendim do të fillojë të zbatohet nga pikat e karburantit në vend prej orës 18:00 të ditës së sotme dhe do të jetë në fuqi deri në mbledhjen tjetër.

Sipas bordit, çmimet e fundit reflektohen nga ndryshimet e shfaqura në tregjet ndërkombëtare, kur sot një fuçi nafte në treg kap çmimin 105 -106 dollarë.

“Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 23 Prill 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare. Nisur sa më sipër, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit  21/5 të Aktit Normativ,  Bordi vendosi:

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 23.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:

•          220 Lekë/litri për gazoilin;

•          200 Lekë/litri për benzinën;

•          92 Lekë/litri për gazit të lëngshëm të naftës.

Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 23.04.2022 deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, si më poshtë:

•          232 Lekë/litri për gazoilin;

•          212 Lekë/litri për benzinën;

•          104 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).

Vendimi i Bordit hyn në fuqi  dhe do reflektohet në datë 23.04.2022, ora 18.00 p.m, deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim”, thuhet në njoftim.