Ushqime të kalbura në Vlorë, prokuroria çon mish, pula, oriz, makarona për ekspertim pranë AKU-së

0
93

Një hetim i nisur kryesisht nga prokuroria e Vlorës, i cili ka qëllim verifikimin e cilësisë së ushqimit në Qendrën e Personave me Aftësi të Kufizuar, ka çuar në kryerjen e analizave bakterologjike në ambjentet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Vendimi për ekspertimin e mbi 20 produkteve ushqimore të marra pranë kuzhinës së Qendrës së Personave me Aftësi të Kufizuar në Vlorë, është marrë pak ditë më parë nga prokurori i çështjes që po ndjek rastin.

Hetimi për cilësinë e ushqimit vjen në një kohë kur Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një auditimi pranë këtij institucioni shtetëror, konstatoi se personat me aftësi të kufizuara ushqeheshin me produkte të skaduara dhe pula të kalbura.

Nisur nga ky konstatim i audituesve të KLSH, prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet dhe për të sqaruar të gjithë situatën rreth këtij problemi.

Pula, mish, makarona, oriz, qumësht dhe produkte të tjera ushqimore, janë tërhequr nga kjo qendër në Vlorë, duke u transferuar me urdhër të prokurorisë në Tiranë,me qëllim kryerjen e analizave bakterologjike pranë AKU-së, me qëllim përcaktimin e cilësisë së ushqimit.

E teksa prokuroria është në pritje të përgjigjeve të analizave, gjatë kësaj kohe në prokurorinë e Vlorës, është paraqitur dhe ka dëshmuar Drejtoresha e Qëndrës së Personave me Aftësi të Kufizuar.

Ajo ka deklaruar se asnjë nga produktet ushqimore nuk rezulton të jetë i skaduar apo kalbur.

Kjo pasi sipas dëshmisë që Drejtoresha ka dhënë në prokurori, me urdhër të saj është ngritur një komision që kontrollon me përpikmëri, cilësinë e ushqimit që blihet nga privatët për Qendrën e Personave me Aftësi të Kufizuar.