Vijon votimi për kryetarin e ri të PD-së, Berisha në garë me Elezin

0
96

Komisioni i Rithemelimit po zhvillon zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së. Në garë janë Sali Berisha dhe Ibsen Elezi, dy kandidatët e vetëm për kryetar të Partisë Demokratike.

Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 dhe do të mbyllet në orën 18:00. Zgjedhjet po zhvillohen në 108 qendra qendra votimi, ndërsa i pari në fletën e votimit është vendosur ish-kryeministri Sali Berisha kurse i dyti rivali i tij Ibsen Elezi.

Nëse në orën 18.00 do të ketë anëtarë të PD që ende nuk kanë votuar, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD votojnë në njërën prej dy qendrave të votimit në Selinë Qendrore të Partisë Demokratike, ose në degët ku ata janë të deleguar pasi të kenë njoftuar pranë Komisionit.

Këto zgjedhje që zhvillohen nga Komisioni i Rithemelimit vijnë në një kohë që çështja e drejtimit të PD është ende në pa një vendim të fundit nga ana e Gjykatës, e cila pak javë më parë ka pranuar ankimin e Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, që regjistroi ndryshimet statutore të PD të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit të zhvilluar nga Komisioni i Rithemelimit.

Pa pritur vendimin e Gjykatës Komisioni i Rithemelimit caktoi datën e zgjedhjeve të reja, ndonëse nga pala tjetër, që është konsideruar si e Alibeajt, këto zgjedhje janë të njëanshme dhe nuk kanë përfshirë të gjithë demokratë

Ibsen Elezi i cili garon “kokë më kokë” sot me ish-kryeministrin Sali Berisha për kreun e PD-së, bëri thirrje që mos bëhen shkelje në procesin e votimit.

Ai tha që komisionerët të heqin imazhin e 13 qershorit. Ndërsa theksoi se pas shpalljes se vendimit do ta njohë rezultatin.

“Komisionerët kanë në dorë një proces që ka të bëjë me demokracinë, me votën dhe ajo çfarë unë kam bërë thirrje sot që në mëngjes është të heqin imazhin e 13 qershorit, të numërojnë çdo votë. Ka zëra që qarkullojnë se proceset kanë pasur shkeljet nga më të rëndat në të kaluarën.

Unë bëj thirrje dhe vjen logjikisht, nuk kam informacion dhe asnjë fakt për shkelje deri tani. Ka qenë situatë e tensionuar që vëzhguesit kanë pasur dilemat e veta dhe unë kam qenë tolerues. Drita e së ardhmes nuk është as doktori, as unë, por demokracia në këtë vend. Individët nuk janë drita e diellit. Jemi në një sistem ku duhet të vendosim për ide, jo për individë”, tha Elezi.

Ai tha nuk do të tolerojë parregullsi të konstatuara të kryera nga komisionerët.

Ndërkohë që vijon votimi për zgjedhjen e kreut të ri të PD, proces ky i organizuar nga Komisioni i Rithemelimit, ka ardhur reagimi i parë nga Lulzim Basha. Duke mos i përmendur zgjedhjet e sotme, Basha ka zgjedhur ta japë mesazhin e tij përmes 38-vjetorit të revoltës së Qafë Barit. Me një term që i është drejtuar Berishës që kur nisi përplasja mes tyre pasi e përjashtoi nga grupi i PD, për t’i kujtuar shqiptarëve që të mos e marrin lirinë si të mirëqenë, Basha shkruan se nuk duhet t’i lënë “mbeturinat e komunizmit të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës”.

“Me 22 maj 1984, 11 vite pas kryengritjes së Spaçit, në një tjetër burg mizor të diktaturës komuniste ringriti krye shpresa për liri dhe kundër padrejtësisë. Sot përulemi me respekt para heroizmit të martirëve të revoltës së Qafë-Barit, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, dhe qindra bashkëvuajtësve të tyre, të burgosur politikë që sfiduan me kurajo regjimin gjakatar nga brenda kampit të vuajtjes, ku dhuna e egër ishte e vetmja gjuhë me të cilën diktatura u komunikonte mizoritë e saj njerëzve të lirë, që nuk u dorëzuan kurrë përballë regjimit. Revolta e Qafë Barit është pjesë e trashëgimisë politike të rezistencës antikomuniste, e bashkë me vendet e kujtesës, përbën një pasuri shpirtërore dhe kulturore që duhet mbrojtur e nderuar për të mos lejuar që harresa të fshijë vuajtjet dhe sakrificat që farkëtuan shpirtin e rezistencës ndaj regjimit mizor, për të mos lënë mbetjet e komunimizit të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës, për të mos e marrë kurrë lirinë si të mirëqenë. Lavdi përjetë martirëve të Revoltës së Qafë Barit”, ka zgjedhur të shkruajë Basha.

Ashtu si të gjithë anëtarët e PD, ish kryeministri Sali Berisha, së bashku me bashkëshorten e tij Liri Berisha kanë votuar në selinë e PD për zgjedhjen e drejtuesit të ri të partisë. Vetë Berisha është në garë vetëm me Ibsen Elezin dhe me shumë gjasa do arrijë të marrë fitoren.

“Së pari përshëndes demokratët dhe demokratet, komisionerët e 108 qendrave të votimit në mbarë Shqipërinë dhe i uroj të marrin pjesë të gjithë në këtë proces historik jo vetëm për PD por edhe për Shqipërinë dhe të votojnë sipas vullnetit të tyre të lirë.

Të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre për kandidatin që duhet. Theksova që ky është proces historik jo vetëm për PD por për mbarë Shqipërinë sepse finalizon triumfin e vullnetit të anëtarëve të kësaj partie me votën e tyre”, tha Berisha.