Vota për këshillat bashkiakë, BIRN: Tom Doshi është surpriza e zgjedhjeve, ngjitet në vend të katërt

0
50

Pa artikuluar asnjë herë alternativën e saj politike, Partia Social-Demokrate e Tom Doshit ka arritur të dalë forcë e katërt në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke marrë plot 116 mandate këshilltarësh në rang kombëtar.

Një analizë e rrjetit investigativ BIRN tregon se PSD ka pësuar një rritje prej 2.4 % e nëse këto zgjedhje do të ishin parlamentare, Doshi do të siguronte 9 mandate deputetësh.

Agjencia BIRN shkruan se surpriza më e madhe elektorale e këtyre zgjedhjeve është rritja me 2.4 herë e Partisë Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi, e cila ka fituar 86 mijë vota dhe 116 mandate në të gjithë vendin.

Për nga numri i posteve në këshillat bashkiakë të Shqipërisë dhe votave të fituara renditet në vend të katërt, pas Partisë Socialiste, koalicionit Bashkë Fitojmë dhe Partisë Demokratike zyrtare. Por për shkak se votat e PSD-së duket se janë përqendruar në mënyrë strategjike në disa qarqe të vendit, nëse të dielën do të kishte pasur zgjedhje parlamentare dhe jo zgjedhje të pushtetit vendor, Tom Doshi do të kishte fituar tre mandate deputetësh në Shkodër, dy në Tiranë, një në Durrës dhe një në Dibër, ndërsa nuk është shumë larg fitimit të një mandati edhe në Elbasan.

Një mandat tjetër i mundshëm është në qarkun e Fierit, ku PSD ka marrë rreth 8600 vota. Me shtatë deri në nëntë mandate deputetësh, kryetari i socialdemokratëve, i sanksionuar nga amerikanët për ‘përfshirje në korrupsion madhor’, me shumë gjasa mund të jetë një nga politikanët më të fuqishëm të vendit. Nuk është pa gjasa që, nëse dy palët tradicionale të politikës shqiptare, PS dhe PD, të ndahen për pak mandate qeveritare, siç ka ndodhur në 2009 e 2013, Doshi të gjendet në pozicionin e “kingmaker-it”, pra forcës përcaktuese që mund t’i japë shumicën qeverisëse secilit krah që dëshiron.

BIRN analizoi të dhënat për rezultatin e zgjedhjeve për këshillat bashkiake në të gjithë vendin, duke agreguar votat e secilës parti në rang kombëtar. Shqiptarët votojnë për këshilla bashkiake përmes sistemit të listave të mbyllura, në të cilat, partitë rendisin kandidatët e vet. Dyzet parti u regjistruan në garën e të dielës së kaluar, ku jo të gjitha garuan në të gjitha bashkitë e vendit.

Nëse krahasohet me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021, numri i votave të PSD-së është rritur me 2.4 herë, ndërsa numri i mandateve potenciale për parlament është rritur me mbi dy herë. PSD mori në zgjedhjet e fundit parlamentare 35 mijë vota ose 2.3% të votave të vlefshme. Përqendrimi i këtyre votave në Shkodër dhe Tiranë i dha asaj dy mandate në Shkodër dhe një në Tiranë.

Partia Agrare Ambientaliste e drejtuar prej kohësh nga Agron Duka, u rendit e pesta për nga numri i votave të fituara në zgjedhjet vendore. Ajo mori 44 mijë vota ose 3.3% të votave të vlefshme, dhe siguroi 52 këshilltarë. Ajo ka përfaqësi në 48 nga 61 këshillet bashkiake të vendit. Kryetari Duka, një biznesmen, deklaroi në media pas zgjedhjeve se ai është i hapur për negociata për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke sinjalizuar një afrim të mundshëm me Partinë Socialiste. Duka ka qenë më herët ministër socialist, por ka ndryshuar krah dhe ka shumë vite në opozitë.

Partia Republikane Shqiptare e Fatmir Mediut mori 32 mijë vota ose 2.4, pasuar nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, me 29 mijë vota ose 2.2 për qind.

Edhe gjashtë parti të tjera morën më shumë se sa 1% të votave, ndërsa pjesa tjetër e subjekteve zgjedhore morën më pak se sa 1% të votave të vlefshme në rang vendi.

Përveç katër partive të mëdha, Socialistët, Bashkë Fitojmë, Partia Demokratike dhe Socialdemokratët, partitë e tjera të vogla dhe kandidatët e pavarur morën sëbashku 24% të votave.