Will Smith jep dorëheqje nga Oscars, pasi goditi me shuplakë Chris Rock

0
111

Aktori i njohur, Will Smith ka dhënë të premten dorëheqjen nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit të Hollywoodit pasi goditi Chris Rock në ceremoninë e Oscars të së dielës së kaluar.

“Unë i jam përgjigjur drejtpërdrejt njoftimit të seancës disiplinore të akademisë dhe do të pranoj plotësisht të gjitha pasojat për sjelljen time. Veprimet e mia në prezantimin e 94-të të çmimeve Oscar ishin tronditëse, të dhimbshme dhe të pafalshme. Jam zemërthyer”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Smith.

Sipas CNN, ai ka deklaruar po ashtu se me veprimin e tij ka lënduar jo vetëm Chris Rockun por edhe familjen dhe miqtë e fansat.

“Lista e atyre që kam lënduar është e gjatë dhe përfshin Chris, familjen e tij, shumë nga miqtë dhe të dashurit e mi, të gjithë ata që ishin të pranishëm dhe audienca globale në shtëpi. Kam tradhtuar besimin e akademisë. I kam hequr të nominuarve dhe fituesve të tjerë mundësinë për të festuar dhe për t’u lavdëruar për punën e tyre të jashtëzakonshme. Më është thyer zemra.

“Dua ta kthej fokusin tek ata që meritojnë vëmendje për arritjet e tyre dhe të lejoj akademinë të kthehet në punën e jashtëzakonshme që bën për të mbështetur krijimtarinë dhe artin në film. Pra, unë po jap dorëheqjen nga anëtarësimi në Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Filmit dhe do të pranoj çdo pasojë të mëtejshme që bordi i konsideron të përshtatshme. Ndryshimi kërkon kohë dhe unë jam i përkushtuar të bëj punën për të siguruar që kurrë më të mos lejoj që dhuna të kapërcejë arsyen”, vazhdon më tej deklarata.

Dorëheqja e Smith do të thotë se ai humbet të drejtën e votës, por ai ende mund të nominohet për një Oscar dhe të fitojë një çmim për çdo shfaqje të ardhshme.

Ndërkohë, Akademia ka thënë se kishte pranuar dorëheqjen e Smithit dhe do të “vazhdojë të ecë përpara” me procedimet disiplinore kundër aktorit për shkelje të standardeve të sjelljes./abcnews.al