Dy vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj prej dy vitesh operonin si vrasës me pagesë në zonën e Tiranës dhe Durrësit ku mësohet se kishin marrë porosi për ekzekutimin e të paktën katër personave.
Sa i takon porosisë së parë, bëhet fjalë, për vrasjen e një personi dhe të dy nipërve të tij në zonën e Don Boskos, e porositur nga Kasandër Noga. Për shkak të ngatërrimit të objektivit, ata nuk u vranë, por gabimisht u ekzekutua Erjon Çela, më datë 4 janar të këtij viti.
Vrasja e dytë, për të cilën kishin marrë porosi vëllezërit Beqiraj ishte ajo e Arben Mërkurit në Sukth. Mërkuri dyshohej nga policia si vrasës me pagesë dhe u vra pesë muaj më parë para biznesit të tij në zonën e Sukthit.
Në deklaratën e dhënë për mediat, policia thekson se nuk ka ende informacion për vrasjen e Mërkurit dhe nuk dihet nëse e kanë ekzekutuar vëllezërit Beqiraj, megjithatë këta të fundit kishin marrë 3 500 euro paradhënie dhe kishin marrë një shtëpi me qira pranë vendit ku jetonte Mërkuri sipas bluve të Durrësit.
Policia thekson se porosinë për vrasjen e Mërkurit e kishte thënë Kevin Zeneli, i cili dyshohet se merrte urdhërat nga Kasandër Noga.