Më 20 shkurt, ditë kur Elbasanin e vizitoi kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku Glendian Llatja i tregoi se po transformonte lagjen Skënderbej, një zonave që për gati dy vite e ka lënë në harresë. Dy javë më pas, rezulton se e gjitha ishte për të siguruar një dalje në televizionin e kryeministrit në Facebook, pasi zhavorri tashmë është zhdukur dhe në rrugë kanë dalë sërish gropat.
Këto pamje janë të datës 20 shkurt, ditë kur Elbasanin e vizitoi kreu i qeverisë Edi Rama.
Kryebashkiaku Gledian Llatja kishte nxjerrë punëtorë e makineri për të mbyllur disa gropa në rrugën “Iljaz Kosova” në lagjen “Skënderbej”.
Angazhimi ishte për një ndërhyrje rrënjësore, por pamjet e rrugës dy javë më pas tregojnë se e gjitha ishte një shfaqje.
Gropat janë rihapur, dhe kaosi është rikthyer si më parë, duke krijuar vështirësi në qarkullim.
Qytetarët që përballen çdo ditë me këtë aks, thonë se janë të zhgënjyer.
“Jemi të zhgënjyer, nuk kemi fare besim. Na kanë thënë që ëhstë shtruar rruga.”
Hedhin akuza ndaj bashkisë që vetëm premton, dhe nuk realizon asgjë.
“Nuk është vënë dorë fare. Nuk ka trotuare. Këta vijnë vetëm për votime.”
Banorët e lagjeve të Elbasanit, kanë denoncuar disa herë problematikat me infrastrukturën në lagjet e tyre, ndërsa mungesa e investimeve u krijon vështirësi në jetën e përditshme.