Zhdukja e Ervis Martinaj/ Dhjetëra persona në përgjim mes tyre edhe efektivë policie, në dosjen hetimore thuhet që…

0
87

Jeton Lami, efektiv i forcave operacionale i vënën nën akuzë për “shpërdorim detyre”, u zbulua se ndihmoi për t’iu fshehur drejtësisë të shumkërkuarit Ervis Martinaj, pas kallëzimit për zhdukjen e tij.

Burime nga grupi hetimor bënë me dije për Fax News se pas kallëzimit të xhaxhait të tij, se kishte humbur kontaktet me nipin, në përgjim janë vënë dhjetëra persona, mes të cilëve edhe efektivë të policisë lokale e Policisë së Shtetit. Hetuesit tregohen të rezervuar për dhënien e detajeve, pasi çështja është ende nën hetim, por sipas informacioneve që Fax News ka siguruar, mësohet se efektivi i operacionales u vu nën akuzë, pas përgjimeve dhe komunikimeve që ai ka pasur me persona të afërt të Martinajt.

Gjithashtu, mësohet se me urdhër të gjykatës së Kurbinit, në përgjim vijojnë të jenë dhjetëra persona të tjerë, mes të cilëve edhe oficerë policie. Hetuesit kanë dyshime se Lami nuk është personi i vetëm nga radhët e policisë që ka ndihmuar Martinajn për t’i shpëtuar autoriteteve e të lëvizë pa problem në akset nacionale edhe pse ishte në kërkim. Ndërkohë, efektivi i operacionales Jeton Lami, u arrestua tre ditë më parë nga kolegët e tij, pasi sipas prokurorisë, dyshohet se e ka shoqëruar me makinë Ervis Martinajn në më shumë se një rast.

Në dosje thuhet se më 5 gusht ai ka shoqëruar me një mjet tip “Audi” 40-vjeçarin, nga Kurbini në Durrës. Aty ai është akomoduar në një hotel, dhoma e të cilit rezulton e rezervuar në emër të efektivit të operacionales. Sipas dosjes mëngjesin e 6 gushtit polici e ka marrë sërish Martinajn nga aty ku e kishte lënë me një tjetër automjet, të llojit “Volswagen”. Hetimet vijojnë, ku është urdhëruar sekuestrimi i dhjetëra kamera sigurie në qytetin bregdetar, për të parë destinacionin e mjetit “Volswagen”, në të cilin u pa për herë të fundit i shumëkërkuari. Kujtojmë se mesditën e së enjtes Gjykata e Kurbinit pranoi kërkesën e prokurorisë për Lamin, duke caktuar ndaj tij masën “arrest me burg”.