ALARM USHQIMOR/ Zbulohen copa metali brenda biskotave “Milka XL”

0
52

Largoni menjëherë nga tregu biskotat “Milka XL” me datë skadence 20.07.2024, sepse përmbajnë copa metali.

Ky është njoftimi që është dërguar në vendin tonë nga portali  RASFF i Bashkimit Evropian i cili bën shkëmbim informacioni në kohë reale sapo konstaton njeërisk në zinxhirin ushqimor.

Ky sistem alarmi ka vënë në dijeni AKU se pas analizave të kryera në biskotat “Milka”, më konkretisht emri i produktit është “MILKA XL Cookies” me datë skadence 20.07.2024 dhe me bar-kodin e poshtë shënuar: 7 622300  786687, është konstatuar prezenca e copëzave metalike.

Konsumimi i këtij produkti nga fëmijë dhe të rritur është konsideruar i rrezikshëm për shëndetin.

Sipas AKU-t, këto biskota janë futur në vendin tonë, por rezulton se e gjithë sasia është shitur.

Nuk është e qartë nëse kjo sasi e biskotave me prezencën e copave të metalit është shitur nga pikat e shumicës, apo edhe nga ato të pakicës.

Edhe pse alarmi ushqimor duhet të ngrinte në këmbë AKU-n, ky institucion në asnjë nga rrjetet sociale nuk e ka publikuar këtë njoftim për konsumatorët.

Duke u nisur nga fakti që  produkti  e ka skadencën deri në korrik 2024 qytetarët që i kanë blerë biskotat dhe nuk i kanë konsumuar do ishte mirë të njoftoheshin nga AKU që ta kthenin produktin aty ku e kanë blerë.

Për një problematike të ngjashme në shtetet e Bashkimit Evropian lëshohet një “Alarm ushqimor për veprim” ku në supermarkete vendosen foto të produktit dhe njoftohen blerësit që të mos e konsumojnë, dhe nëse kanë gjendje në shtëpi t’i kthejnë në dyqane duke u rimbursuar plotësisht.