Berisha: Nuk ka më paqe në këtë vend, largimi i Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve

0
39

Ndonëse në rend dite ishin parashikuar që të kishte 84 diskutime për një sërë çështjesh, seanca plenare e Kuvendit ka precipituar.

Pas debateve të shumta që kulmuan me përjashtimin nga Kuvendi të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili bashkë me demokratët e tjerë kërkuan që në rend dite të futej çështja “McGanigal”, kjo gjë është refuzuar me forcën e kartonave.

Nga oborri i Kuvendit, kryedemokrati Sali Berisha paralajmëroi se nuk ka më paqe pas këtij skandali.

“Sot, parlamenti ka ditën e turpit, ditën e fundit. Parlamenti refuzon kërkesën më legjitime për t’i kushtuar rendin e ditës një çështje që ka tronditur gjer në palcë vendet e lira. Imagjinoni ju se në çfarë afere është e implikuar Shqipëria. Imagjinoni ju se si ky kryeministër ka vënë në rrezik sigurinë e SHBA, sigurinë e NATO-s, sigurinë e botës së lirë.

Imagjinoni ju një vrasës me pagesë që merr para nga kryeministri për të vrarë opozitën shqiptare. Ne këtë nuk e kalojmë. Edi Rama është sot, njeriu më i inkriminuar në Europë dhe më gjerë. Unë kam bindjen më të thellë, se drejtësia amerikane do të thotë fjalën e saj ndaj këtij krimineli. Por para saj duhet të flasin shqiptarët, duhet të flasë parlamenti, duhet të flasin qytetarët. Edi Rama, me dy bashkëpunëtorë, ka trajtuar si aset privat, shefin e kundërinteligjencës së FBI, njeriun përgjegjës për të zbuluar, vëzhguar dhe ndjekur rrjetet e spiunazhit në SHBA, por edhe në emër të vendeve të tjera. Jemi në situatën më të pazakontë që kemi qenë ndonjëherë si vend. Vetëm një betejë e gjithanshme është shpëtimtare për Shqipërinë.

Edi Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë për të manipuluar, falsifikuar, trilluar kundër opozitës shqiptare. Kjo përbën një mega-krim, një krim ndërkombëtar, për të cilin ne do kërkojmë nga autoritetet amerikane që t’i japin dënimin më të rëndë. Ju duhet ta dini edhe se Deripaska është një nga kompanitë sot, edhe sot që flasim, më prezente në Shqipëri. Është një nga kompanitë me të cilat ka përfituar statusin e investitorit strategjik, ka përfituar koncesione, ka përfituar tendera nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Deripaska është miku numër një i Vladimir Putinit, rekrutuesi me korrupsion i Charles McGonigal. A u takua Rama, McGonigal dhe Deripaska? A drekuan apo darkuan së bashku? Këto do i sqarojë drejtësia. Por një gjë është e sigurt, se Edi Rama me të gjitha qëndrimet e tij, del agjent influent rus. Edi Rama nuk ishte i verbër, nuk ishte pa eksperiencë. Veprimet e tij me McGonigal i ka bërë për llogari të asaj fuqie të NATO-s dhe SHBA. Edi Rama nuk ka fshehur në asnjë rast qëndrimet e tij pro-ruse duke mbrojtur qëndrimet e Vuçiç ndaj embargos ruse. Ne jemi këtu për të deklaruar se ky parlament nuk zhvillon më punime pa u ndalur te spektri i kësaj afere të tmerrshme që ka tronditur Shqipërinë dhe ka goditur rëndë në opinionin publik amerikan dhe botëror.
Nuk ka më paqe në këtë vend pa u zgjidhur këto probleme. Largimi i Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve”, deklaroi kryedemokrati.