Bizneset nisin lëshimin e faturave elektronike edhe mes tyre dhe me konsumatorët

0
230

Lëshimi i faturave elektronike po kryhet jo vetëm për transaksionet biznes-ente publike, por edhe për transaksionet biznes-biznes dhe biznes-konsumator.

Detyrimi ligjor nis më 1 korrik për transaksionet biznes-biznes dhe më 1 shtator për transaksionet biznes-konsumator, por një pjesë e mirë e bizneseve janë përfshirë në këtë proces vullnetarisht para afateve të përcaktuara.

Prej 1 janarit të këtij viti ka nisur faza e parë e zbatimit të reformës së Fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe enteve publike, ose ndryshe B2G.

Sipas autoriteteve, reforma e Fiskalizimit ka pasur një ecuri pozitive me shifrat që janë rritur ndjeshëm muaj pas muaji. Deri më tani janë fiskalizuar mbi 4500 subjekte dhe janë lëshuar në total mbi 2 milionë fatura të fiskalizuara për transaksione me dhe pa para në dorë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj vizitoi sot një nga bizneset që është përfshirë në këtë fazë të parë të kësaj reforme.

Ajo bëri të ditur se Administrata Tatimore do të mbështes biznesin për të bërë të mundur zbatimin e procesit.

“Sokoli, menaxhon një dyqan veshjesh sportive në Tiranë dhe ka nisur të zbatojë procesin e Fiskalizimit, më herët sesa afati i përcaktuara nga ligji. Subjekti ofron fatura të fiskalizuara dhe përdor zgjidhjet softuerike”, tha Denaj.

Për transaksionet Biznes-Biznes zbatimi i Fiskalizimit nis prej 1 korrikut dhe nga 1 shtatori për ato Biznes – Konsumator. /