Leonardo Bonucci përgatitet të nisë një tjetër sezon me Juventusin, por këtë herë më shumë se kurrë ai është lideri i vetëm te bardhezinjtë duke qenë se në dhomat e zhveshjes apo edhe në fushë nuk do të jetë më Giorgio Chiellini.

Në një intervistë për Gazzeta Dello Sport, kapiteni i bardhezinjve i ka tërhequr veshin Matthijs De Ligt që u bashkua me Bayern Munich. Mbrojtësi thekson se holandezi duhet të tregojë respekt për Juventusin ndërsa shtoi se nga deklarata e tij, ishte kuptuar që De Ligt do të largohej.

“Nuk jam surprizuar nga largimi i De Ligt pasi u kuptua në disa deklarata dhe nuk donte të qëndronte te Juventus. Por, mendoj se duhet të tregoj respekt pasi Juventusi investoi tek ai dhe i shërbeu për t’u rritur. Unë i uroj më të mirën, por disa deklarata nga grumbullimet me kombëtaren ishin të tepruara. I kam folur pas pushimeve dhe ai e kuptoi. Bayern është një klub i madh, por kjo nuk garanton fitimin e trofeve”, u shpreh Bonucci.

Ndër të tjera, mbrojtësi shpreson që në dy vite kontratë të mbetura me Juventusin, skuadra të mund të arrijë edhe suksesin europian.

“Kur u transferova te Juventus, ëndrra ishte të bëja një karrierë të madhe dhe të fitoja gjithçka. Ia kam dalë në masën 90%, mungon ajo pjesa e vogël që ne juventinëve na dhemb shumë. Shpresoj që në këto dy vite kontratë që më ka mbetur të rigjejmë stabilitetin në Europë, të fitosh është gjithnjë e vështirë.

Mendoj se objektivi duhet të jetë çerekfinalja, më pas duhet edhe fati. Në një sezon që në mes ka edhe Botërorin, mendoj se mund të ndodhë gjithçka, prandaj pse të mos besoj në një Europë bardhezi”, theksoi Bonucci./ Super Sport

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu