ÇFARË “SHUPLAKE” I DHA KOSOVA, SHQIPËRISË ?

0
151

Nga Erion Murataj!

Me ëndje ndoqa mbrëmë deri në orët e para të mëngjesit, diskursin në mediat e Republikës së Kosovës . Kosovarët , ata të cilët ne i konsiderojmë si vellain e vogël, që kanë jo më shumë se 21 vite shtet, për të disatën herë na kanë treguar se në fakt të qenit I vogël apo i madh nuk të bejnë vitet që ke mbi supe. Përkundrazi ndonjëherë vitet të bëjnë të rrjedhur.

Mbrëmë Kosova i tregoi mbarë botës se vendosja e standarteve nuk është çështje përkatësie etnike por është përqafimi i demokracisë së drejtëpërdrejtë, i vlerave dhe kulturës, që në fakt nuk është demokratike por njerëzore. Një proçes i cili nisi dhe u mbyll brenda jo më shumë se 16 orëve. 16 orëve pasi në rast se heq hendekun midis përfundimit dhe transportimit të materialeve zgjedhore drejtë vendnumërimeve, kaq mbesin në fakt, 16 orë….

Dhe sikur të mos mjaftonte koha rekord e përfundimit të një proçesi zgjedhor, ajo që kosovarët mbrëmë dëshmuan ishte kultura e lartë demokratike e urimit të kandidatit fitues dhe pranimit të humbjes, pranimit të vullnetit të qytetarit, pranimit të besimit që qytetarët kanë, qoftë edhe tek i kundërti yt. Mbrëmë ndodhi ajo që në fakt hedh poshtë gojëdhënat e pamundësisë së shqiptarëve për shtetbërje , shtetformim apo vetëqeverisje dhe vetëadministrim.

Mbrëmë nuk e di se si sharlatanët politik të vëllait të madh të Shqipërisë kanë pasur mundësitë të fshijnë djersët teksa shikonin një proçes model tek ata që shpesh I quajnë si të paaftë për të fituar paqen. Kosovarët jo vetëm që kanë fituar luftën, jo vetëm që po tregojnë çdoherë e më shumë se mund të fitojnë paqen, por po tregojnë çdoherë e më shumë aftësinë e te qënurit lidership në një rajon kaotik si ky i joni.

Nuk e di se si apo me çfarë fytyre do të dalin sot përpara mediave politikanët të cilët ne u kemi besuar 30 vite këtu në Shqipëri dhe që ende nuk kanë pranuar vullnetin e qytetarëve në mënyrë të qënësishme në asnjë nga proçeset e zhvilluara që prej vitit ’90.

Këta politikanë që e mbajnë veten si gjithologë , si lider global , si Mesia e demokracisë që enden nëpër Europë apo nëpër Foltore , do të mund ti thonë shqiptarëve se do të mund ti besojnë atyre, sepse kur shikon disa lider të cilët kanë arritur të derdhin gjak për vendin e tyre dhe sot pranojnë në mënyrë të pakushtëzuar vendimin e qytetarëve që mund të mos jetë më në favor të tyre, nuk e di se si mundet ne shqiptarët këtu në Shqipëri tu besojmë disa njerëzve që vetëm na kanë vjedhur, rrjepur , zhvatur, kurrë për asnjë moment nuk kanë sakrifikuar asgjë. E vetmja gjë që ngelet pas atij mësimi që Kosova, vëllai i vogël na dha, na ngelet vetëm ta falenderojmë dhe ti themi: Faleminderit për “Shuplakën” vëlla I vogël