Cilët kandidatë do të pranojë, të Bashës apo Berishës? Celibashi: Vora voton elektronikisht

0
126

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi u shpreh se kostoja e zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit në 6 bashki të vendit është 180 mln lekë. E ndërsa në të gjitha bashkitë do të aplikohet identifikimi elektronik, ai tha se në njërën nga këto bashki, në Vorë do të aplikohet edhe votimi elektronik.

Kemi bërë një vlerësim paraprak të kostos dhe në fund të ditës së sotme do ta përfundojmë, janë rreth 180 mln lekë kosto. Po punojmë, edhe pse koha është e shkurtër. Do të bëjmë edhe një sqarim, edhe për këto zgjedhje të aplikohet identifikimi elektronik. Në një konsultim me partitë do të vendosim në lidhje me zhvillimin, aplikimin e votimit elektronik në bashkinë e Vorës. E kemi një eksperiencë në Tiranë. Qëllimi është ta aplikojmë votimin elektronik edhe në zgjedhjet e bashkisë Vorë, por do ta diskutojmë me partitë politike” deklaroi ai.

Por cilin njeh ai Bashën apo Berishën? Celibashi kishte një përgjigje edhe për debatin në PD, se cilët kandidatë do të pranojë KQZ-ja. Ai ishte i qartë, kur tha se përgjigja dihet, duke lënë të kuptohet se njeh Lulzim Bashën si kryetar, pasi gjykata e Tiranës atë njeh zyrtarisht. Megjithatë shtoi se kur të bëhet regjistrimi i partive do të jetë përgjigja zyrtare. Nga grupi i Berishës, tha se nuk ka marrë asnjë shkresë që ta vendoste në dijeni për Kuvendin e 11 Dhjetorit.

Partia që kërkon të regjistrohet duhet të paraqesë një sërë dokumentesh, një prej tyre nga gjykata e Tiranës që përmban të dhënat mbi partinë politike, përfshirë emër, organet drejtuese, organet kompetente për të mbajtur marrëdhëniet me të tretët. Kështu që nuk është një cështje e komisionit është një cështje e përcaktuar mirë nga ligji dhe në momentin që do të fillojë procesi i regjistrimit të partive, ju do të merrni dijeni mbi partitë që regjistrohen dhe përfaqësuesit e tyre.

Deri në momentin që flasim nuk kemi asnjë komunikim me asnjë parti, por sikur e thashë, natyrshëm mund të them diçka, por duhet ta kem sjelljen korrekte, institucionale, dhe vetëm për këtë shkak nuk kam droje për të dhënë opinionet e mia. Kur të paraqiten kërkesat për regjistrimin e partive, do të jetë përgjigja e pyetjes suaj, që në një lloj mënyre ajo mund të jetë e ditur edhe tani, si për ju edhe për mua” deklaroi ai.

Kryetari i KQZ-së evidentoi vetëm një problem në përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet. “Sa i përket operatorëve (të menaxhimit të votimit dhe numërimit elektronik) nëse ata që punuar si operatorë në 25 Prill, do të korrigjojmë disa gjëra dhe besoj se do të jetë më e thjeshtë. I vetmi problem është pajisja, asgjësimi i të dhënave (të 25 Prillit), kemi numër rezervë që kemi marrë, diku të 500 pajisje, por pjesa tjetër do të duhet të vijë nga procesi i asgjësimit të të dhënave”.

Celibashi dha edhe një informacion mbi bashkitë që do të shkojnë në zgjedhje. “Për bashkinë Dibër ka një KZAZ ku zhvillohen zgjedhjet, janë 101 qendra votimi që do të votohet. Në Shkodër janë 4 KZAZ dhe 250 qendra votimi. Në Vorë është një KZAZ dhe 44 qendra votimi. Në Lushnje kemi 2 KZAZ, 157 qendra votimi. Në Durrës janë 4 KZAZ dhe 350 qendra votimi” tha ai./ Abcnews.al