Drejt përfundimit asfaltimi i rrugës Labinot Fushë- Qafë Renas

0
143
Është drejt përfundimit ndërtimi i rrugës Labinot Fushë- Qafë Renas, në Elbasan, 16 kilometra e gjatë dhe me gjerësi 4 m, një investim me vlerë 3.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare është drejt përfundimit të projektit për asfaltimin e rrugës Labinot-Fushë/Qaf Renas, i cili ndërlidh fshatrat mes tyre, lehtëson lëvizjen dhe rrit sigurinë në zonat rurale përmes standardeve më të mira në ndërtim. Ky aks krijon akses dhe me rrugën interurbane Elbasan-Librazhd për nxjerrjen e produkteve në tregun vendas dhe më gjerë në rajon.

Projekti është në vazhdim të një serie investimesh nga FSHZH në Elbasan dhe do të vijojë me ndërhyrjet për:Rrugën e Re të Varrezave Elbasan;Ndërtimin e Mbikalimit Hekurudhor në Kryqëzimin e rrugës Nacionale Elbasan – Librazhd në rrugën “Borodin Mitarja”.

Si një zonë rurale me prodhime të shumta bujqësore dhe blegtorale, realizimi i këtij aksi krijon mundësi për hapjen e bujtinave dhe rinovimin e shtëpive pritëse dhe për rrjedhojë tregtimin e produkteve BIO karakteristike të zonës, ku veçohen gështenjat, qershitë, nënproduktet e qumështit etj.

Me rehabilitimin e këtij aksi përmirësohet jo vetëm infrastruktura e zonës për banorët e saj, por edhe do të ndikojë në cilësinë e jetës dhe rritjen e standardit të jetesës.

Ndërhyrja ndikon në rivitalizimin e të gjithë Njësisë Administrative, pasi investimi hap shtigje të reja për zhvillimin e mëtejshëm në agroturizëm dhe sporteve në natyrë.