“Kërkohet recepsioniste, nën 30 vjeç. Bashkë me CV, foto me rroba banje” Njoftimi seksist që “tërboi” italianët

0
81

Ministria e Punës në Itali ka nisur një hetim për një njoftim seksist pune për pozicionin e recepsionistes.

Sipas prestigjozes “Guardian”, njoftimi i një kompanie nga Napoli ka shkaktuar shqetësim tek ministria italiane pas reagimeve të forta në rrjetet sociale nga përdoruesit që e konsiderojnë të papranueshëm njoftimin,ku  përveç kualifikimeve formale për pozicionin e punës kërkohet edhe një foto me rroba banje.

Në njoftim shkruhet  gjithashtu se kandidatet duhet të jenë nën 30 vjeç, të flasin rrjedhshëm anglisht, të kenë makinën e tyre dhe të kenë një “karakter të ndritshëm dhe pamje tërheqëse”.

“Ju kërkojmë të na dërgoni një foto të plotë me rroba banje, apo diçka të ngjashme”, thuhet në njoftimin specifik të punës , me një pagë që nuk i kalonte 500 euro.

Sapo përdoruesit panë njoftimin, reagimi i tyre ishte i tillë që  detyroi kompaninë ta tërhiqte atë.

“Ky është një njoftim pune i çuditshëm,” tha konsulentja e punës në Napoli, Ciara Marciani .

“Është skandaloze për shumë arsye… duke filluar me kushtin që gruaja të jetë nën moshën tridhjetë vjeç, për një rrogë e cila është absurde dhe e  pamjaftueshme për angazhimin dhe përgjegjësitë”, shtoi ajo.

Kompania me seli në Napoli, nxitoi të justifikonte të pajustifikuarat  nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se, në të vërtetë, kërkesa për një foto me rroba banje ishte e pahijshme “ndërsa topin e përgjegjësisë e hodhi te një punonjës i ri pa përvojë që kishte hartuar njoftimin e kompanisë.”