E rëndë/ Ndodh sërish në Tiranë, i njëjti personazh famëkeq dhunon dy vajza të reja, policia asnjë masë ndaj tij (FOTO)

0
135

Një ngjarje e rëndë ka nodhur për të disatën herë në Tiranë, teksa shtetasi i njohur si “Denis” ka dhunuar dy vajza të reja aktiviste të shoqërisë civile, përkatësisht Mirela dhe Albina Ruko.

Është e disata herë që ky shtetas ka kryer akte dhune ndaj femrave nëpër kryeqytet ndërsa ndaj tij ka 8 kallëzime në polici. Por pavarësisht këtyre kallëzimeve 32 vjeçari vijon të endet i lirë duke ushtruar dhunë ndaj vajzave të tjera në Tiranë. Ndërsa policia ende nuk ka marrë asnjë masë ndaj tij.

Postimi i Plotë nga Organizata Politike që ka denoncuar dhunën:

NDAL DHUNËS NDAJ VAJZAVE!
Sot rreth orës 13:00 dy aktivistet e Organizatës Politike Albina Ruko dhe Mirela Ruko janë sulmuar dhe goditur fizikisht pranë vendbanimit të tyre. Pas denoncimit në polici, morëm vesh se keqbërësi, i quajtur Denis, është një personazh famëkeq, i njohur edhe nga policia si dhunues përsëritës i vajzave në rrugët e Tiranës. Ndaj këtij personi ka të paktën 8 kallëzime në polici për dhunë ndaj vajzave, por në të gjitha rastet institucionet ligjzbatuese e kanë lënë të lirë.
Përgjegjës për dhunën kafshërore ndaj shoqeve tona dhe vajzave të tjera nuk është vetëm ky keqbërës, por edhe i gjithë zinxhiri i institucioneve shtetërore që vazhdojnë të tolerojnë krime të tilla: nga policia te prokuroria dhe çdokush që ka në dorë të frenojë dhunën. Për këto institucione, jeta dhe siguria fizike e vajzave janë të parëndësishme.
Edhe sa vajza duhet të dhunohen përpara se shteti të veprojë?! Mos duhet të presim që grushtet keqbërëse të marrin jetë?! Apo ta marrim vetë drejtësinë në dorë?!
Dhuna dhe indiferenca e institucioneve shtetërore na motivojnë edhe më shumë për të luftuar kundër dhunës gjinore dhe diskriminimit të shumanshëm të vajzave dhe grave.